Senati i SHBA-së i kontrolluar nga republikanët miratoi me një diferencë të ngushtë votash projektligjin gjithëpërfshirës të Presidentit Donald Trump për uljen e taksave dhe shpenzimeve, gjatë një seance maratonë të shënuar nga drama politike, përçarje dhe vonesa të gjata.
Ligjvënësit votuan 51-49 për të hapur debatin mbi megaprojektligjin prej 940 faqesh, me dy nga republikanët e Trump që iu bashkuan demokratëve për të kundërshtuar legjislacionin që do të financonte prioritetet kryesore të presidentit për imigracionin, kufijtë, uljen e taksave dhe ushtrinë. Trump në mediat sociale përshëndeti "fitoren e madhe" për "projektligjin e tij të madh, të bukur dhe të shkëlqyer".
Pas orësh vonese, gjatë së cilës udhëheqësit republikanë dhe zëvendëspresidenti JD Vance punuan pas dyerve të mbyllura për të bindur ata që nuk pranuan të mbështesnin masën, demokratët kërkuan që megaprojektligji të lexohej së pari me zë të lartë në sallë - një detyrë që mund të vononte fillimin e debatit deri të dielën pasdite.
Demokratët thonë se uljet e taksave të projektligjit do t'u sillnin përfitime në mënyrë disproporcionale të pasurve në kurriz të programeve sociale për amerikanët me të ardhura të ulëta. "Republikanët e Senatit po përpiqen të miratojnë një projektligj radikal, të publikuar për publikun në mes të natës, duke u lutur që populli amerikan të mos e kuptojë se çfarë përmban ai", tha udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, në sallën e Senatit.
"Demokratët do ta detyrojnë këtë dhomë ta lexojë atë nga fillimi në fund," tha ai, shkruan A2 CNN.
Sapo të lexohet projektligji, ligjvënësit do të fillojnë deri në 20 orë debat mbi legjislacionin. Kjo do të pasohet nga një seancë maratonë amendamentesh, përpara se Senati të votojë për miratimin. Ligjvënësit thanë se shpresonin të përfundonin punën mbi projektligjin të hënën. Senatorët republikanë Thom Tillis dhe Rand Paul votuan kundër debatit hapës, një veprim që për një kohë dukej se ishte në rrezik të dështonte.
(A2 Televizion)