Të paktën 2 persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën kur një dron rus u përplas në një ndërtesë të lartë banimi në qytetin ukrainas të Odesës, në orët e para të kësaj të shtune.
Tre fëmijë ishin midis të plagosurve në sulmin e natës, njëri prej të cilëve në gjendje kritike, tha Guvernatori Rajonal, Oleh Kiper, shkruan A2.
Pamjet e postuara nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave treguan zjarrfikës që luftonin me flakët dhe banorët që nxitonin drejt një shkalle të errët në ndërtesën 21-katëshe.
Rusia ka shtuar sulmet me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase në javët e fundit, ndërsa përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund shkatërrimit kanë ngecur. (A2 Televizion)