
Melania Trump ka mohuar publikisht çdo lidhje me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke i cilësuar pretendimet si “të rreme” dhe duke kërkuar që ato “të marrin fund menjëherë”.
Në një deklaratë të papritur nga Shtëpia e Bardhë, Zonja e Parë theksoi se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me Epstein dhe se kontakti i vetëm me të ka qenë i shkurtër, rreth vitit 2000. Ajo shtoi se nuk ka pasur dijeni për abuzimet ndaj viktimave dhe nuk ka qenë kurrë e përfshirë në asnjë formë.
Melania Trump hodhi poshtë edhe pretendimet se Epstein e kishte prezantuar me bashkëshortin e saj, Donald Trump, duke i cilësuar këto si përpjekje për të dëmtuar reputacionin e saj.
Ajo mohoi gjithashtu njohjen me Ghislaine Maxwell, duke e përshkruar një email të publikuar nga viti 2002 si “korrespondencë rastësore” dhe një përgjigje formale pa ndonjë domethënie të veçantë.
Në të njëjtën kohë, Zonja e Parë bëri thirrje për seanca dëgjimore në Kongres për viktimat e trafikimit seksual të lidhura me çështjen Epstein, duke kërkuar që ato të kenë mundësinë të dëshmojnë publikisht nën betim.
“Çdo grua duhet të ketë mundësinë të tregojë historinë e saj dhe kjo dëshmi të mbetet në regjistrat e Kongresit”, u shpreh ajo.
(A2 Televizion)