Një buton shtypet dhe “përbindëshi” rreth dy tonësh përfundon në det pasi fluturoi për mbi 1100 kilometra. Ushtria e presidentit Vladimir Putin lëshoi raketën Kalibr, të gjatë mbi 6 metra me vlerë miliona dollarë, siç u tha në njoftimin zyrtar, “për të ngacmuar nëndetësen e armikut” në Paqësor.
E gjithë kjo pjesë e një stërvitje për të treguar muskujt ushtarakë. Megjithatë lufta e vërtetë është në anën tjetër. Rajone të ndryshme të Ukrainës janë bombarduar nga ushtria e Rusisë, e cila në sulmet e saj ka përdorur dhe shumë dronë.
Sipas raportimeve, 5 civilë janë vrarë në Donjeck, ndërsa të plagosur mbetën të paktën 6 të tjerë. Në anën tjetër, Rusia pretendon se ka rrëzuar 115 dronë të lëshuar nga ushtria e Ukrainës. Raportohet për një person të vrarë në rajonin e Brianskut
Presidenti rus, Vladimir Putin, falenderoi ushtarët e Koresë së Veriut, siç thotë ai, “për çlirimin e rajonit të Kurskut nga pushtimi ukrainas”. Madje u thotë mercenarëve të Kim Jong Un se janë heronj. Kështu raporton vetë Kremlini që ka publikuar deklaratën e firmosur nga Putin. Konfirmimi për pjesëmarrjen e tyre në fushën e betejës përbën një akt kriminal, sipas Koresë së Jugut.
Por për Penianin është një çështje krenarie, por edhe përfitimi. Rusia konfirmon gatishmërinë për të garantuar ndihmë ushtarake për Korenë e Veriut nëse do të ketë nevojë. Një alarm ky që tregon se në rast lufte, krah trupave të Kim Jong Un mund të jenë edhe ushtarët e Putinit. (A2 Televizion)