Gjermania është e gatshme të zhvillojë modelin e Italisë me Shqipërinë për të menaxhuar procedurat e azilit për emigrantët nga vendet e Lindjes së Mesme. Këtë fakt e ka bërë të ditur Kancelari gjerman, Friedrich Merz në takimin që pati me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Gjatë vizitës së tij të parë si kancelar në Romë, Merz bëri thirrje për bashkëpunim me vendet e treta për të frenuar migrimin e parregullt në Evropë.
"Ne ramë dakord të angazhohemi kundër migrimit të parregullt në Bashkimin Evropian në mënyrë më të vendosur se më pare. Iniciativat e ndërmarra nga Italia muajt e fundit, veçanërisht me disa vende mesdhetare, kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshme. Këto janë nisma të mira që ne i mbështesim edhe në Gjermani", tha kancelari Merz.
Merz dëshiron të verifikojë edhe modelin italian me Shqipërinë. Në lidhje me ndalimin e përkohshëm të këtyre planeve në Itali nga gjyqësori, kreu i CDU tha gjatë vizitës së tij të parë si kancelar në Romë se ishte në dijeni të vendimeve të gjykatave. "Por sigurisht kjo mund të jetë ende një opsion," shtoi ai.
Merz deklaroi se Gjermania do të shqyrtonte mundësinë e dhënies së procedurave të azilit jashtë shtetit, pavarësisht përvojave të Italisë. Ai pranoi se kjo "sigurisht nuk ishte zgjidhja e problemit", por tha se mund të "ndihmonte në zvogëlimin e problemit". Kancelari theksoi gjithashtu nevojën për të zbatuar me shpejtësi reformën evropiane të azilit dhe për të zgjeruar bashkëpunimin brenda Bashkimit Evropian për të luftuar migracionin e parregullt. "Ne nuk do të frenohemi më kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve në Bashkimin Evropian", tha ai më tej, shkruan A2 CNN.
Koalicioni në Romë, i përbërë nga tre parti të djathta dhe konservatore, kërkon të zhvendosë në Shqipëri procedurat e azilit për emigrantët e kapur në Mesdhe, por kjo është penguar disa herë nga drejtësia. Gjykata Evropiane e Drejtësisë aktualisht po shqyrton nëse një trajtim i tillë i migrantëve është në përputhje me ligjin evropian. Kampet e ndërtuara posaçërisht në Shqipëri, kanë qenë kryesisht bosh prej muajsh. Deri më tani, modeli nuk ka funksionuar. (A2 Televizion)