Leoni i XIV, papa i parë amerikan, dha meshën e tij të parë inauguruese, në të cilën morën pjesë liderë nga shumë vende të botës, përfshi edhe Zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance. Papa i 267-të mbërriti në Vatikan me automjetin e tij dhe u prit me brohoritje nga turmat e mëdha, ndërsa vizitoi Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë lëvizjes së tij, Papa Leo u pa të ndalonte shkurtimisht dhe të puthte një fëmijë. Në fjalën e tij, Papa përmendi urrejtjen dhunën dhe paragjykimet. Duke mbajtur predikimin e tij gjatë shërbesës, Papa Leo tha se nuk ka vend në Kishën Katolike për “propagandë fetare” apo lojëra pushteti, dhe në vend të kësaj bëri thirrje për unitet. Ai gjithashtu dënoi një sistem ekonomik që shfrytëzon “burimet e Tokës dhe margjinalizon më të varfrit”.
“Në kohën tonë ende shohim shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga ata që janë të ndryshëm, një paradigmë ekonomike që shfrytëzon burimet e Tokës dhe margjinalizon më të varfrit. Dhe ne duam të jemi, brenda këtij brumi, një tharmë e vogël uniteti, bashkësie, vëllazërie”, tha ai, raporton A2 CNN.
Papa i bëri jehonë përulësisë së paraardhësit të tij, Papa Françeskut, gjatë fjalimit të tij, duke thënë se nuk u zgjodh për rolin e kreut të Kishës Katolike për meritat e tij, por në vend të kësaj e merr atë si një "vëlla, i cili dëshiron të jetë shërbëtor i besimit dhe gëzimit tuaj".
“Jam zgjedhur pa asnjë meritë dhe, me frikë e dridhje, vij tek ju si një vëlla që dëshiron të jetë shërbëtor i besimit dhe i gëzimit tuaj, duke ecur me ju në rrugën e dashurisë së Zotit, i cili na dëshiron të gjithëve të bashkuar në një familje. Dashuria dhe uniteti: këto janë dy dimensionet e misionit që Jezusi ia besoi Pjetrit”, tha Papa Leoni i XIV.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve italiane vlerësohet se afërsisht 100 mijë njerëz ishin të pranishëm në fillim të Meshës së Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit. (A2 Televizion)