Një lojë e dyfishtë, por me qëllimin përfundimtar: paqen! Bloomberg ka publikuar një audio-përgjim të Steve Witkoff ku rezulton se mësoi rusët e Vladimir Putin si të negocionin me presidentin amerikan. Bëhet fjalë për të dërguarin e posaçëm të Donald Trump për paqen në Ukrainë, i cili tashmë po qëndron në mes të polemikave që po përçajnë republikanët në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë vetë presidenti i ka dalë në mbrojtje.
“Nuk e kam dëgjuar audion, jo, por kjo është një gjë standarde, e dini, sepse ai duhet t'ia shesë këtë Ukrainës. Ai duhet t'ia shesë Ukrainën Rusisë. Kjo është ajo që bën një negociator. Duhet të thuash, shiko, ata e duan këtë, duhet t'i bindësh me këtë, e dini, kjo është një formë shumë standarde negociimi. Mendoj se ai po i thotë të njëjtën gjë Ukrainës sepse secila palë duhet të japë dhe të marrë. Pra, nuk shqetësoheni se ai është shumë pro-rus”, tha Trump.
Presidenti amerikan mbrojti planin e tij për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës duke nënvizuar se është një marrëveshje e mirë për të dyja palët, ku sipas tij edhe Putin do të bëjë lëshime. Trump saktësoi edhe njëherë se do të takohet me liderin e Kievit dhe atë të Moskës vetëm kur të vijë koha për të vendosur një firmë mbi paqen. Gjithashtu rrëzoi afatin e vendosur për të enjten dhe konfirmoi se koha për t’u marrë me këtë çështje skadon vetëm kur lufta të përfundojë, shkruan A2 CNN.
“Ishte vetëm një hartë. Nuk ishte një plan, ishte një koncept. Dhe nga aty ata po marrin secilën nga 28 pikat, dhe pastaj zbresin në 22 pika, shumë prej tyre u zgjidhën. Dhe në fakt shumë pozitivisht. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Përfundimisht kjo është tokë që gjatë dy muajve të ardhshëm mund të merret nga Rusia gjithsesi. Pra, a dëshironi të luftoni dhe të humbni 50 apo 60 mijë njerëz të tjerë? Apo doni të bëni diçka tani”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan konfirmoi edhe njëherë se ndërmjetësuesi Witkoff do të shkojë në Moskë javën e ardhshme për të vazhduar negociatat mbi planin e tij të redaktuar me Ukrainën në Gjenevë. Madje sinjalizoi se pjesë e këtyre bisedimeve për paqen është bërë edhe dhëndri i tij, Jared Kushner. Zyrtarët amerikanë pritet që të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe më pas pritet që të mësohet nëse plani është i zbatueshëm ose jo. (A2 Televizion)
