SHBA bombardon rëndë Iranin. Zgjerohet harta e konfliktit, sulmohet cisterna në Egjipt

Nga Rosalba Bejdo
30 Korrik 2026, 10:42 | Bota

SHBA bombardon rëndë Iranin. Zgjerohet harta e konfliktit, sulmohet

Rinis me efekt të plotë lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane tha se kishte përfunduar një valë të rëndë bombardimesh kundër Republikës Islamike, në hakmarrje të sulmeve me raketa balistike ndaj forcave amerikane të martën.

CENTCOM deklaroi se kishte goditur dhjetëra objektivë ushtarakë të Gardës Revolucionare të Iranit, pasi kjo e fundit kishte shënjestruar baza amerikane në Jordani dhe anije në Ngushticën e Hormuzit. Media shtetërore në Iran njoftoi se mes shënjestrave ishin ishujt e Qeshm dhe Adaban, të dy të rëndësishëm për industrinë e naftës.

Në Qeshm, raportohet të jenë vrarë tre persona, përfshirë një fëmijë 2-vjeçar, ndërsa u goditën edhe lokacione të tjera në jug dhe perëndim të vendit.

Vala e re e bombardimeve erdhi pasi Presidenti Donald Trump paralajmëroi se do të godisnin rëndë Iranin pas sulmit ndaj ushtrisë amerikane në Jordani: “Do t'i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë t'i godasim. Ata e dinë se kjo po vjen. Po na kërkojnë të mos e bëjmë, por, siç e dini, mbrëmë ata u përpoqën të sulmonin. Tani është radha jonë dhe do të shohim nëse arrijmë një marrëveshje në një pikë të caktuar. Në të kundërt, do t'i godasim shumë fort”. 

Ndërkohë, raketat iraniane u lëshuan sërish drejt Jordanisë, e cila raportoi të kishte interceptuar 5 raketa balistike.

Në një zgjerim të rrezikshëm të hartës së konfliktit, një sulm me dron u raportua kundër një cisterne amerikane për magazinimin e gazit në portin e Damietta, në Egjipt. Droni goditi anijen-cisternë Energos Ëinter, duke shkaktuar një zjarr që u përhap edhe te një anije tjetër, Gaslog Salem, thanë tre burime tregtare të njohura me ngjarjen.

Përshkallëzimi i fundit vjen në një javë kur është shënuar zgjerim i konfliktit, me sulmet e para të përbashkëta, që janë njoftuar publikisht, mes SHBA dhe Arabisë Saudite kundër milicive pro iranit në Irak.

Të mërkurën, portali Axios që citoi zyrtarë amerikanë, tha se ministri saudit i Mbrojtjes, Prince Khalid bin Salman, i kishte thënë Trumpit në një takim se Arabia dëshiron zbutje të tensioneve.

Ndërkohë, sipas Wall Street Journal, shefi i Komandës Qendrore amerikane, Brad Cooper, i ka prezantuar Presidentit Trump një plan për bombardime intensive në Iran përgjatë 10-14 ditëve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos