Arrestimi i Ermal Beqirajt në Francë nuk ka qenë një surprizë dhe as rastësi për SPAK. Kreu i SPAK, Klodian Braho, tha gjatë një takimi me gazetarët se Prokuroria e Posaçme e kishte lokalizuar prej disa javësh të kërkuarin e dosjes “AKSHI” në Francë.
“Prokuroria, në çdo rast, sapo merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Në këtë moment është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe personi që ju përmendni është një prej tyre.
Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze të drejtësisë. Ka pasur informacion.
Ka ndarë informacion me francezët edhe përmes letërporosive. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm arrestimi, por edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, u shpreh Braho.
Braho theksoi se dy aeroplanët Piper në pronësi të Beqirajt do të sekuestrohen, por edhe pasuri të tjera në territorin francez, ndërsa në vijim SPAK do të ketë një komunikim zyrtar për çështjen.
I pyetur nëse arrestimi i një të kërkuari nga BKH, pa ndihmën e policisë, ishte një rast i izoluar apo do të vijojë, Braho u shpreh:
“Ligji e lejon BKH-në të bëjë arrestime. Në platformën time në KLP, e kam thënë që BKH duhet të plotësohet me disa funksione që nuk i ka. Nuk ka pengesë ligjore, por pengesë në kapacitete njerëzore. Ne nuk e zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por duhet të kemi një strukturë në BKH, që në momente të caktuara të mund të kryejë arrestime apo veprime të tjera hetimore”.
Në lidhje me disa kontrolle të kryera së fundmi për çështjen ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, Braho zgjodhi të mos ndajë detaje, me argumentin se “është çështje në hetim”.
Gjatë takimit me gazetarët, kreu i SPAK ndau rezultatet e punës së 6-mujorit të parë të vitit 2026, duke nënvizuar përfundimin e 182 hetimeve penale, goditjen e 7 grupeve kriminale dhe vendosjen nën sekuestro të gati 440 milionë eurove.
Për të njëjtën periudhë, SPAK në 13 procedime ka hetuar 16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, 2 prej të cilëve ministra dhe ish-ministra, si dhe një deputet. (A2 Televizion)