Atë që nuk e arritën në komisionin parlamentar për reformën territoriale, socialistët e shndërruan në nismë ligjore të njëanshme, duke marrë vetëm firmat e deputetëve të saj.
Projekti parashikon që nga 61 bashki, vendi të shkojë në vetëm 46 të tilla. Në veri, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën dhe Klosi me Matin, ndërsa 13 të tjerat që reduktohen zbresin nga Shqipëria e Mesme deri në Jug.
Rrogozhina me Kavajën, Dimali dhe Poliçani bëhen pjesë e Beratit; Patosi me Fierin; Divjaka me Lushnjën; Selenica me Vlorën; Maliqi me Korçën; Këlcyra me Përmetin; Memaliaj me Tepelenën; Libohova me Gjirokastrën; Cërriku dhe Belshi me Elbasanin, si dhe Prrenjasi me Librazhdin.
Me këtë formulë janë 28 njësi vendore që ndryshojnë, duke u shndërruar në 13 bashki të mëdha.
Tirana nuk merr nën administrim asnjë bashki tjetër, por socialistët kanë vendosur të krijojnë një njësi të re duke zgjeruar territorin e saj. Sipas kësaj formule, krijohet njësia administrative Rinas, e cila i kalon kryeqytetit, që merr zyrtarisht aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, duke ia hequr Krujës.
Risia e dokumentit të depozituar në Kuvend në mënyrë të njëanshme nga PS lidhet me faktin se qeverisja vendore do të jetë me tri nivele: bashki, qytete dhe njësi administrative.
Për këtë arsye, mazhoranca propozon 71 qytete, të cilat do të kenë në krye nga një nënkryetar dhe do të përfaqësohen me anëtarë në këshillin bashkiak në mënyrë proporcionale me numrin e qytetarëve. Gjithashtu, niveli i tretë do të jenë 387 njësi administrative.
20 bashki do të kenë më shumë se një qytet, si Dibra, Bulqiza, Mati, Kruja, Elbasani, Librazhdi, Fieri, Lushnja, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Korça, Lezha, Mirdita, Kurbini, Shkodra, Puka, Kavaja dhe Vlora.
Gjithashtu, socialistët përmendin se tri bashkitë minoritare: Pusteci, Finiqi dhe Dropulli, si dhe Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli, janë ruajtur dhe do të trajtohen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve të tyre financiarë. (A2 Televizion)