
Çmimet globale të naftës kanë pësuar rënie gjatë së hënës, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi Iranin me goditje ndaj infrastrukturës kritike nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit.
Nafta bruto Brent u rrit fillimisht mbi 110 dollarë për fuçi, por më pas ra në rreth 107 dollarë, pas raportimeve për bisedime të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit për një armëpushim.
Tensionet në rajon kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet energjetike, pasi transporti i naftës dhe gazit nga Lindja e Mesme është ndërprerë ndjeshëm. Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me energji.
Ndërkohë, raportime mediatike sugjerojnë për një propozim armëpushimi 45-ditor, por një burim nga Shtëpia e Bardhë ka theksuar se kjo është vetëm një nga opsionet në shqyrtim dhe nuk është miratuar zyrtarisht.
Ekspertët paralajmërojnë se çmimet do të vijojnë të jenë të paqëndrueshme dhe të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të ri në konflikt, ndërsa tregjet mbeten të ndjeshme ndaj përshkallëzimit apo uljes së tensioneve.
Në të njëjtën kohë, Irani ka paralajmëruar për intensifikim të sulmeve ndaj interesave ekonomike amerikane nëse infrastruktura e tij vazhdon të jetë në shënjestër.
Përpjekjet diplomatike vijojnë, ndërsa situata në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë globale.
(A2 Televizion)