
Ministri i Jashtëm i Iranit ka mbërritur në Rusi pas vizitave në Pakistan dhe Oman.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti në Rusi, ku do të takohet me presidentin Vladimir Putin. Ministri iranian tha se kishte nevojë të koordinohej me zyrtarët rusë pasi fushata ushtarake SHBA-Izrael kundër Republikës Islamike kishte ndërprerë takimet dypalëshe.
Udhëtimi vjen pasi një raport i Axios tha se Teherani po sinjalizonte gatishmëri për të pranuar një marrëveshje të përkohshme me SHBA-në, sipas së cilës Irani do të rihapte Ngushticën e Hormuzit në këmbim të përfundimit të bllokadës së porteve iraniane nga Uashingtoni.
Mediat iraniane raportuan të dielën se Araghchi do t’i përcillte Pakistanit, ndërmjetësit kryesor në bisedimet me SHBA-në, se lufta mund të përfundonte nëse amerikanët heqin bllokadën, bien dakord për një kornizë të re ligjore për ngushticën dhe garantojnë se nuk do të ketë veprime të tjera ushtarake në të ardhmen.
Irani i tha Pakistanit se negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, një çështje më e hershme dhe afatgjatë, mund të trajtohen më vonë, raportoi Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy persona me dijeni për çështjen.
Trump të shtunën pranoi një plan të ri nga Irani, duke thënë se Republika Islamike dërgoi shpejt një propozim të ri pasi ai u kërkoi të dërguarve të tij të tërhiqeshin nga një udhëtim në Pakistan për bisedime.
Vizitat vijnë në mes të një përpjekjeje intensive diplomatike për të frenuar tensionet rajonale. Araghchi tha se udhëtimi i tij në Rusi do të ofrojë një mundësi kyçe për të shqyrtuar zhvillimet e luftës dhe për të koordinuar qëndrimet.
Dyshohet që Rusia të ketë furnizuar me armatime Iranin gjatë konfliktit. Gjithashtu Irani thuhet se ka marrë sistemet e mbrojtjes raketore S-400 ruse, të cilat mund të kenë qenë shkaku i rrëzimit të avionëve "stealth" amerikanë F-22 dhe F-35. Ndihma ushtarake, ekonomike dhe politike që Kina dhe Rusia i kanë dhënë Iranit, në kuadër të aleancës së BRICS, ka bërë që forcat amerikane dhe izraelite të mos e fitonin dot, aq më pak në një kohë të shkurtër, siç deklaronte presidenti Trump në ditët e para të ofensivës, përcjell A2CNN.
Sipas Araghchi, ndalesa e mëparshme në Islamabad ishte e nevojshme sepse Pakistani është i përfshirë në ndërmjetësim, ku sipas tij bisedimet dhanë disa përparime, por nuk arritën objektivat për shkak të “kërkesave të tepruara” nga Uashingtoni.
Për vizitën në Oman, ministri tha se Irani dhe Omani janë shtete bregdetare të Ngushticës së Hormuzit, ndaj duhet të mbrojnë interesat e përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve në nivel ekspertësh për këtë rrugë ujore. (A2 Televizion)