"Është njeri shumë i sëmurë!“, Trump pas atentatit: Nuk pata frikë, jetojmë në një botë të çmendur

Nga Rosalba Bejdo
27 Prill 2026, 10:21 | Bota

"Është njeri shumë i sëmurë!“, Trump pas

“Nuk pata frikë. Jetojmë në një botë të çmendur!” Kështu u shpreh presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë televizive pas atentatit me armë zjarri gjatë darkës me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë. Trump tha se agresori i dyshuar, i identifikuar si Cole Thomas Allen, ishte njeri shumë i sëmurë, i raportuar nga familjarët tek forcat e sigurisë. 31-vjeçari kishte postuar atë që Trump e cilësoi manifest anti-kristian.

Donald Trump: “Ai kishte shumë urrejtje në zemrën e tij për një kohë të gjatë. Ishte kundër të krishterëve. Dhe nuk e di nëse e keni marrë vesh, sapo është publikuar një manifest, e besoni dot? Kështu që ai do të ketë probleme të mëdha për pjesën tjetër të jetës së tij. Por familja e tij e dinte që ai kishte vështirësi dhe familja dukej se ishte dakord. Ishte njeri i sëmurë.”

Në manifest, Allen e quan veten “vrasës federal miqësor” dhe thotë se kishte planifikuar të sulmonte zyrtarë të administratës Trump; nga ata të nivelit më të lartë tek më i ulti, por duke përjashtuar drejtorin e FBI-së, Kash Patel, siç tha një zyrtar i sigurisë. 31-vjeçari citonte teologji të krishterë dhe pretendonte se po përpiqej të mbronte personat e dëmtuar nga politikat e administratës. “Të kthesh faqen tjetër kur dikush është i shtypur nuk është sjellje kristiane, por është bashkëpunim në krimet e shtypësit”, thuhet në manifest.

Atje, Allen tallej gjithashtu me mungesën e madhe të sigurisë në Washington Hilton Hotel, ku u mbajt darka me korrespondentët. “U futa atje me armatime të shumta dhe asnjë person i vetëm nuk konsideroi se mund të isha kërcënim”, thuhet më tej.

Ngjarjet kaotike ngrenë pikëpyetje të reja mbi sigurinë e zyrtarëve të lartë amerikanë, shumë prej të cilëve ishin mbledhur në sallën e vallëzimit të hotelit. Autoritetet thanë se i dyshuari kishte qëlluar një agjent të Shërbimeve Sekrete në një pikë kontrolli të sigurisë në hotel, para se të neutralizohej dhe arrestohej. Trump, zonja e parë Melania, zv/presidenti JD Vance dhe zyrtarë të kabinetit u nxorën jashtë me shpejtësi pas të shtënave, shkruan A2CNN.

Agjenti i qëlluar i shpëtoi plagëve serioze për shkak të jelekut antiplumb. Trump, i cili ka bojkotuar galanë me mediat në të kaluarën, ka kërkuar që darka të riorganizohet brenda 30 ditësh. I dyshuari del sot në një gjykatë federale për akuzat e sulmit ndaj një zyrtari federal, zotërim armësh dhe tentativë vrasje të një zyrtari federal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos