Zvicra hap dosjet sekrete të “Engjëllit të Vdekjes”

Nga A2 CNN
16 Maj 2026, 10:19 | Bota

Zvicra hap dosjet sekrete të “Engjëllit të Vdekjes”

Autoritetet zvicerane kanë vendosur të hapin dosjet sekrete mbi kriminelin famëkeq nazist Josef Mengele, i njohur si “Engjëlli i Vdekjes” i kampit të Auschwitz-it, pas dekadash refuzimi ndaj historianëve dhe studiuesve. Megjithatë, Shërbimi Federal i Inteligjencës në Zvicër nuk ka dhënë ende një datë konkrete për publikimin e dokumenteve, përcjell A2 CNN.

Josef Mengele ishte mjek i SS-së naziste në kampin famëkeq të përqendrimit Auschwitz, në Poloninë e pushtuar nga Gjermania. Ai përzgjidhte të burgosurit që dërgoheshin në dhomat e gazit dhe kryente eksperimente mizore mbi fëmijë dhe binjakë. Vlerësohet se rreth 1,1 milionë njerëz humbën jetën në Auschwitz, shumica hebrenj.

Zvicra hap dosjet sekrete të “Engjëllit të Vdekjes”
Zyra e Kryqit të Kuq në Xhenova lëshoi pasaporta me emra të rremë për Josef Mengele (m), Klaus Barbie (q) dhe Adolf Eichmann (D).

Pas Luftës së Dytë Botërore, Mengele u arratis nga Europa duke përdorur dokumente të Kryqit të Kuq me identitet të rremë dhe u vendos në Amerikën Latine. Zyrtarisht besohej se ai kishte kaluar pjesën tjetër të jetës në Amerikën e Jugut, deri në vdekjen e tij në Brazil në vitin 1979.

Zvicra hap dosjet sekrete të “Engjëllit të Vdekjes”
Mengele në Brazil me një grua të paidentifikuar.

Por historianët dyshojnë prej kohësh se ai mund të jetë rikthyer fshehurazi në Zvicër edhe pas vitit 1959, kur ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar. Historiania zvicerane Regula Bochsler zbuloi dokumente që tregojnë se inteligjenca austriake kishte paralajmëruar autoritetet zvicerane në vitin 1961 se Mengele mund të ndodhej në territorin zviceran me identitet të rremë.

Sipas saj, bashkëshortja e Mengele kishte marrë me qira një apartament pranë aeroportit të Zyrihut, ndërsa policia zvicerane e kishte vendosur zonën nën vëzhgim.

Zvicra hap dosjet sekrete të “Engjëllit të Vdekjes”
Mengele (q) në vitin 1944, me komandantin e Auschwitz Richard Baer (m) dhe ish-komandantin Rudolf Höss.

Historiani Gérard Wettstein paditi autoritetet zvicerane pasi iu refuzua qasja në dosje, të cilat ishin klasifikuar deri në vitin 2071 për arsye sigurie kombëtare. Pas presionit publik dhe ligjor, inteligjenca zvicerane pranoi më në fund të hapë dokumentet, edhe pse studiuesit druhen se pjesë të mëdha të tyre mund të jenë të censuruara.

 

Vendimi ka rikthyer vëmendjen mbi rolin e Zvicrës gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe dyshimet nëse autoritetet mbyllën sytë ndaj pranisë së mundshme të një prej kriminelëve më të kërkuar nazistë.

  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos