
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane dhe ato nigeriane kanë vrarë një nga drejtuesit më të lartë të ISIS-it gjatë një operacioni të zhvilluar të premten në Afrikë. Sipas Trump, objektivi i sulmit ishte Abu-Bilal al-Minuki, të cilin ai e përshkroi si “numrin 2 të ISIS-it në nivel global” dhe një nga terroristët më aktivë në botë.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se operacioni ishte “i planifikuar me përpikmëri dhe jashtëzakonisht kompleks”, ndërsa shtoi se eliminimi i al-Minukit ka dobësuar ndjeshëm aktivitetin global të organizatës terroriste, përcjell A2 CNN.
“Me urdhrin tim, forcat amerikane dhe Forcat e Armatosura të Nigerisë ekzekutuan me sukses misionin për të eliminuar terroristin më aktiv në botë”, shkroi Trump. Ai shtoi se al-Minuki “nuk do të mund të terrorizojë më popullin e Afrikës dhe as të planifikojë sulme kundër amerikanëve”.
Sipas dokumenteve të Zyrës Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, Abu-Bilal al-Minuki kishte lindur në vitin 1982 në shtetin Borno, në verilindje të Nigerisë, zonë që kufizohet me Kamerunin, Çadin dhe Nigerin. Trump nuk bëri të ditur vendin e saktë ku u zhvillua operacioni, por tha se shërbimet amerikane kishin burime informacioni që monitoronin lëvizjet e tij.
Presidenti amerikan falënderoi gjithashtu qeverinë nigeriane për bashkëpunimin në operacion. Deri tani, autoritetet në Nigeri nuk kanë reaguar publikisht ndaj deklaratave të Trump.
Nigeria përballet prej vitesh me sulme të grupeve ekstremiste islamike dhe konflikte të armatosura që lidhen me tensione etnike, fetare dhe përplasjet për burime natyrore. Ekspertët theksojnë se si komunitetet myslimane, ashtu edhe ato të krishtera, kanë qenë viktima të dhunës nga grupet radikale. (A2 Televizion)