
Për dekada me radhë, pushteti në Iran ka qenë i centralizuar në duart e një njeriu të vetëm: udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Por, që nga vrasja e tij në fillim të luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, më 28 shkurt, procesi i vendimmarrjes në Teheran është bërë gjithnjë e më i decentralizuar, thonë ekspertët.
Mojtaba Khamenei nuk është parë në publik që kur ka pasuar të atin në fillim të marsit.
Në mungesë të tij, një grup zyrtarësh të lartë iranianë kanë marrë, në fakt, drejtimin e vendit, përcjell A2.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) - një aktor dominues politik - janë bërë tani forca vendimtare në Iran, thonë ekspertët.
Reformistët dhe të moderuarit janë shtyrë, sipas tyre, në skaje të politikës, duke çuar në një sistem më të ashpër dhe më të ngurtë ideologjikisht.
Qendra dhe figura të rëndësishme të pushtetit kanë dalë në pah në atë që disa vëzhgues e quajnë “Republika Islamike 3.0”.
Edhe pse shumë prej këtyre figurave janë të një mendjeje për politikat kryesore, mes tyre kanë filluar të shfaqen edhe disa çarje.
Mojtaba Khamenei - udhëheqësi i ri suprem
Si udhëheqës suprem, 56-vjeçari e ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore.
Por, autoriteti i tij është dobësuar që në fillim.
Khamenei ka qenë një zgjedhje e diskutueshme për postin e udhëheqësit suprem.
Kleriku nuk ka mbajtur kurrë më parë poste publike, ndaj disa e kanë konsideruar emërimin e tij si prirje drejt “trashëgimisë dinastike”, që do t’i vinte në pikëpyetje vetë rrënjët antimonarkiste të Revolucionit Islamik të vitit 1979.
I plagosur rëndë në sulmin ajror që i ka vrarë të atin, Khamenei ka munguar në sytë e publikut që nga emërimi i tij më 8 mars.
Ai ka pësuar plagë në kokë, në pjesën e poshtme të shpinës dhe në këmbë, por tani është “në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë më 8 maj Mazahar Hosseini, shef i protokollit në Zyrën e Udhëheqësit Suprem.
Shërbimet e inteligjencës amerikane kanë thënë se besojnë që Khamenei luan rol të rëndësishëm në strategjinë e luftës dhe në menaxhimin e bisedimeve të paqes me Shtetet e Bashkuara.
Por, në një sistem ku udhëheqësi suprem është gjithmonë i pranishëm - përmes audio-mesazheve, video-paraqitjeve dhe daljeve publike për të shfaqur autoritetin e tij - mungesa e tij është e dukshme.
“Irani ka hyrë në një periudhë tranzicioni pas vdekjes së Ali Khameneit dhe përfundimit të 36 vjetëve të udhëheqjes së tij”, thotë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë analisti politik iranian, Ali Afshari, me bazë në Uashington.
“Është një periudhë sfiduese, në të cilën rreshtimi i forcave pas luftës do të jetë vendimtar”, shton ai.
Hossein Taeb - operatori në prapaskenë
Si klerik i linjës së ashpër, Hossein Taeb ka drejtuar degën e inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për 13 vjet, deri në vitin 2022, kur është shkarkuar në kuadër të një riorganizimi të madh të sigurisë.
Taeb, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për rolin e tij të dyshuar në represionin shtetëror, ka punuar në Zyrën e Udhëheqësit Suprem përpara se të emërohej shef i inteligjencës së IRGC-së në vitin 2009.
Një besnik i hershëm i Khameneit të ri, Taeb konsiderohet si një figurë e rëndësishme në prapaskenë.
Ekspertët thonë se ai mund të luajë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e marrëdhënieve të Khameneit me aktorët kryesorë brenda sistemit.
Ahmad Vahidi - shefi i IRGC-së
Garda Revolucionare Islamike (IRGC), krahu elitar i forcave të armatosura të Iranit, ka luajtur gjithmonë rol kyç në politikë.
Por, pas vrasjes së Ali Khameneit, ajo është bërë forca dominuese politike në Republikën Islamike.
Kjo, edhe përkundër faktit se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë goditur rëndë lidershipin e IRGC-së, duke vrarë edhe komandantin e saj të përgjithshëm, Mohammad Pakpour.
Zëvendësi i Pakpourit, Ahmad Vahidi, ish-ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes, ka marrë drejtimin e IRGC-së në fillim të marsit.
Por, ekspertët thonë se mbetet e paqartë nëse Vahidi ka peshë dhe kredibilitet për të bashkuar fraksionet konkurruese brenda Gardës Revolucionare.
Sipas tyre, lufta dhe rritja e sigurisë në Iran, pas vdekjes së Ali Khameneit, i kanë dhënë IRGC-së rol qendror në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.
“Epoka pas Ali Khameneit mbetet e paqartë. Megjithatë, një fakt kyç është i dukshëm: roli dhe fuqia në rritje e IRGC-së në administrimin e Republikës Islamike”, thotë për Radion Farda komentuesi politik iranian me bazë në Francë, Mojtaba Najafi.
“Sot, një pjesë e konsiderueshme e administrimit të vendit është në duart e IRGC-së. Militarizimi në ekonomi, politikë, kulturë dhe shoqëri ka arritur tashmë një fazë të konsoliduar”, shton ai.
Mohammad Baqer Qalibaf - ndërmjetësuesi
Mohammad Baqer Qalibaf është një politikan konservator dhe ish-komandant ushtarak, i cili, për dekada me radhë, ka ndërtuar lidhje të forta me lidershipin suprem të Iranit dhe me Gardën Revolucionare (IRGC).
Pas një karriere të shoqëruar me skandale korrupsioni dhe disa kandidime të pasuksesshme për president, ai sot shihet si një nga figurat më të fuqishme që kanë mbetur në Republikën Islamike.
Ekspertët e përshkruajnë Qalibafin - kryetar i Parlamentit dhe negociator kryesor i Iranit me Shtetet e Bashkuara - si ndërmjetës mes qendrave të ndryshme të pushtetit në vend.
Ai konsiderohet i afërt edhe me udhëheqësin e ri suprem.
Ky është roli që më herët e ka pasur shefi i sigurisë së Iranit, Ali Larijani, i cili është vrarë në mars.
Larijani ka qenë një figurë unifikuese, që ka bashkuar fraksionet politike në garë dhe ka mbajtur lidhje të forta me IRGC-në, aparatin e inteligjencës dhe establishmentin klerikal.
“Qalibaf gjithmonë ka qenë një ‘gur shahu’ i përdorur nga lidershipi”, thotë për Radion Farda analisti politik me bazë në Gjermani, Hossein Razzaq.
“Sot, me eliminimin e ‘gurëve’ të tjerë të rëndësishëm, roli që ai luan për sistemin, është bërë më i theksuar”, sipas tij.
Mohammad Baqer Zolqadr - shefi i sigurisë
Ish-komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Mohammad Baqer Zolqadr, ka pasuar Larijanin si drejtues i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit - organi kryesor i vendimmarrjes në këtë vend.
Ndërsa Larijani është njohur si politikan pragmatik dhe i kalkuluar, Zolqadr përfaqëson linjën e ashpër ushtarake dhe të sigurisë.
Sipas Razzaqut, emërimi i tij shihet si përpjekje e udhëheqësit për të shpërndarë pushtetin mes besnikëve të tij.
Ai shton se kjo zgjedhje nënvizon edhe më shumë dominimin e IRGC-së në qendrat e ndryshme të pushtetit në Iran.
Masud Pezeshkian - presidenti pa fuqi
Presidenti reformist, Masud Pezeshkian, nuk është një aktor i rëndësishëm politik dhe nuk konsiderohet si kërcënim nga linja e ashpër që dominon sistemin.
Roli i Pezeshkianit është kryesisht administrativ, duke menaxhuar punët e përditshme të Qeverisë, sepse vendimet përfundimtare për çështjet madhore, përfshirë luftën dhe diplomacinë, merren diku tjetër.
Ai dhe ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, janë të vetmit përfaqësues të kampit reformist që kanë një rol të dukshëm në strukturën e re të pushtetit.
Ashtu si Pezeshkiani, as Araqchi nuk ka fuqi vendimmarrëse, por zbaton vendimet që vijnë nga lart.
Kështu, brenda sistemit kanë nisur të dalin në pah edhe dallime: nga njëra anë janë ata që mbështesin diplomacinë, si Pezeshkiani dhe Araqchi, dhe nga ana tjetër qëndrojnë gjeneralët që kundërshtojnë çdo kompromis me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës./ REL (A2 Televizion)