Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se ka shënjestruar një takim të komandantëve ushtarakë ukrainas me sulmin e saj në Sumy dje.
Sipas mediave të huaja, Ministria konfirmoi se forcat ruse përdorën dy raketa Iksander për të sulmuar qytetin, me zyrtarët ukrainas që raportuan se 34 persona u vranë.
Kujtojmë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar lidhur me sulmin rus në Sumy të Ukrainës gjatë ditës së djeshme.
Trump i quajti sulmet "të tmerrshme" dhe tha se Rusia "ka bërë një gabim", pa dhënë detaje shtesë, shkruan A2 CNN.
"Ata bënë një gabim. Besoj se ishte. Ju do t'i pyesni ata", tha më tej Trump, shkruan A2 CNN.
Dje, i dërguari i posaçëm i Trump në Ukrainë, Keith Kellogg, tha se sulmi kishte kaluar "çdo vijë të mirësjelljes".
Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, i quajti sulmet "të tmerrshme" dhe një "kujtues tragjik" se pse administrata Trump po kushton "aq shumë kohë dhe përpjekje" për t'i dhënë fund luftës.
Kujtojmë se pavarësisht përpjekjeve dhe premtimeve të Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, ende nuk është arritur një marrëveshje armëpushimi. (A2 Televizion)