“Moment historik”, bota mirëpret marrëveshjen për armëpushim në Gaza

Nga Rosalba Bejdo
9 Tetor 2025, 13:29 | Bota

Liderët botërorë e mirëpritën lajmin se Izraeli dhe Hamasi ishin dakordësuar mbi fazën e parë të planit të Trump për paqen në Gaza.

Hamasi tha se negociatat ishin të përgjegjshme dhe serioze, dhe i kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe ndërmjetësuesve të tjerë që ujdia të implementohej pa vonesa. Po ashtu, lideri i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, e mirëpriti ujdinë dhe tha se shpresonte që ajo t’i hapte rrugën zgjidhjes së dy shteteve.

Të njëjtën kërkesë bëri edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres e përshkroi marrëveshjen si një mundësi historike, duke shtuar se OKB do të mbështesë implementimin e plotë të ujdisë dhe do të shtojë ndihmat humanitare dhe përpjekjet për rindërtimin e Gazës, shkruan A2.

Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve t’u binden kushteve të marrëveshjes, përfshirë lirimin e pengjeve dhe të respektojnë një armëpushime të përhershëm.

“Vuajtjet duhet të mbarojnë”, tha ai.

Kryeministri britanik, Keir Stermer, e cilësoi ujdinë si një moment lehtësimi të thellë që do të ndihej në të gjithë botën, ndërsa u kërkoi të gjitha palëve t’i përmbahen angazhimeve që kanë marrë përsipër.  

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, shprehu kënaqësinë e thellë me arritjen e marrëveshjes, ndërsa falenderoi Trump që, siç tha, kishte treguar vullnetin politik për të inkurajuar qeverinë izraelite të pranonte armëpushimin.

Po ashtu, Arabia saudite përshëndeti zhvillimin, duke e vënë theksin tek nevoja e lehtësimit të vuajtjeve humanitare për palestinezët në Gaza dhe tërheqje të plotë të izraelitëve. Kina tha shpreson të shohë një armëpushim dhe paqe të përhershme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos