Moska: Krimea dhe 4 rajone të pushtuara janë ruse. Kurrë paqeruajtës evropianë në Ukrainë

Nga A2 CNN
13 Mars 2025, 12:32 | Bota

Moska: Krimea dhe 4 rajone të pushtuara janë ruse. Kurrë

Për Moskën, Krimea dhe rajonet e Ukrainës Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk janë "rajone të Federatës Ruse" siç shkruhet në Kushtetutën ruse dhe ky është një fakt". Këtë e tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke përsëritur disa nga kushtet e presidentit Vladimir Putin për paqen. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Ria Novosti.

Peskov nuk pranoi të komentojë mbi raportet e Reuters, se Rusia i ka dorëzuar SHBA-së një listë kërkesash për t'i dhënë fund luftës, duke përfshirë njohjen e Krimesë dhe katër rajoneve të okupuara të Ukrainës, shkruan A2 CNN.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova përsëriti se Moska e konsideron vendosjen e mundshme të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë "absolutisht të papranueshme", duke argumentuar se kjo do të nënkuptonte, për qeverinë ruse, "përfshirjen e këtyre vendeve në një konflikt të drejtpërdrejtë fizik" me Rusinë.

Zëdhënësja e diplomacisë ruse tha se Moska e konsideron " shprehjen e planeve të tilla si një hap haptazi provokues, i cili nuk synon zgjidhjen e konfliktit", por, sipas fjalëve të saj, "mbajtjen e iluzioneve të pashëndetshme dhe të dëmshme" të qeverisë ukrainase, raporton A2 CNN.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi se trupat ruse kanë çliruar Sudzhan, qytetin kryesor në rajonin e Kurskut të pushtuar nga trupat e Kievit.

Ndërkohë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff po mbërrin në Moskë për bisedime mbi një armëpushim të mundshëm në Ukrainë. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga agjencitë ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos