
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Rusia është gati të angazhohet për hartimin e një pakti të ndërsjellë mos-sulmimi me NATO-n dhe Bashkimin Europian.
Sipas mediave të huaja, Zakharova gjithashtu u shpreh se Rusia është e gatshme t’i formalizojë këto angazhime me shkrim.
“Gatishmëria për të formalizuar ligjërisht mungesën e planeve agresive ndaj NATO-s dhe BE-së në një bazë reciproke është një vazhdim logjik i qasjes parimore të Rusisë”, tha Zakharova, shkruan A2 CNN.
Deklarata vjen pasi Presidenti Vladimir Putin tha se u informua orët e fundit mbi progresin e bërë në negociatat në Miami nga kryenegociatori i Kremlinit, Kirill Dmitriev.
Sot, si Putin ashtu edhe Zelensky i uruan ‘Krishtlindje të Gëzuara’ Trumpit, të cilin presidenti ukrainas tha se do të donte ta takonte për të diskutuar për Donbasin. (A2 Televizion)