Moti i keq godet veriun e Italisë, rrufe dhe erëra me shpejtësi 106 km/orë. Në Jug ende nxehtë

Nga A2 CNN
21 Gusht 2026, 11:01 | Bota

Moti i keq godet veriun e Italisë, rrufe dhe erëra me shpejtësi

Moti i keq ka përfshirë veriun dhe një pjesë të qendrës së Italisë, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe dëme në infrastrukturë. Autoritetet kanë shpallur alarm portokalli në Friuli-Venezia Giulia, pjesë të Lombardisë, Ligurisë dhe Toskanës, ndërsa në 13 rajone të tjera është në fuqi alarmi i verdhë.

Situata më kritike paraqitet në Lombardi, ku zjarrfikësit kanë kryer mbi 400 ndërhyrje. Në Isola di Fondra, në provincën e Bergamos, 250 persona u evakuuan nga një kamping i rrezikuar nga një rrëshqitje dhe rritja e nivelit të një përroi. Në Sonico të Brescias, dy rrëshqitje shkatërruan një urë dhe detyruan evakuimin e 81 banorëve.

Edhe Piemonte është prekur rëndë, me mbi 260 ndërhyrje për përmbytje dhe dëmtime të ndërtesave. Në Trentino, një masë balte dhe mbetjesh deri në dy metra e lartë bllokoi zonën e Val Genova.

Në Toskanë janë regjistruar mbi 23 mijë rrufe në 24 orët e fundit, ndërsa më shumë se 6.000 abonentë kanë mbetur pa energji elektrike. Erërat kanë arritur shpejtësi deri në 106 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe duke shkaktuar dëme në rrugë, automjete dhe objekte publike.

Sipas mediave italiane, në të gjithë vendin janë kryer rreth 1.000 operacione shpëtimi në orët e fundit.

Ndërkohë, ndryshe nga veriu, rajonet jugore të Italisë vijojnë të përballen me temperatura të larta dhe vapë intensive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos