Në harkun kohor të katër ditëve, aksidentet në Durrës, kanë shënuar shifra të frikshme të personave që kanë humbur jetën me 5 viktima dhe 3 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Viktima e fundit u shënua mëngjesin e së premtes në zonën e Rrashbullit.
Nuk kanë të ndalur aksidentet me pasoja fatale në Durrës gjatë kësaj jave. Viktima e radhës është shënuar në orët e para të mëngjesit në zonën e Rrashbullit, ku një automjet ka përplasur për vdekje një 32-vjeçar që po lëvizte me biçikletë për të shkuar në punë.
Pas përplasjes drejtuesi i mjetit ka ikur nga vendngjarja, ndërsa i ndjeri i identifikuar si Vasil Hasani 32-vjeç, baba i dy fëmijëve është lënë pa ndihmën e para derisa sa është gjetur pa jetë nga kalimtarë të rastit rreth dy orë pas aksidentit.
Policia ka njoftuar se ka identifikuar mjetin nga kamerat e sigurisë si dhe po punon përkapjen e drejtuesit. Po në orët e para të mëngjesit një tjetër automjet ka dalë nga rruga në vendin e njohur si kodra e Vilës së Zogut duke u rrokullisur disa herë.
Drejtuesi i mjetit u dërgua në spital ku paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në këto katër ditë pasojat nga aksidentet në Durrës i ngjajnë një zone lufte.
Në fakt situata pranohet edhe nga shefi i qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Durrësit i cili shprehet se qëllimi i strukturës që drejton është parandalimi edhe pse e vetme kjo forcë nuk mund t’ia dalë përballë fluksit dhe morisë së mjeteve në këtë periudhë.
Ndërkohë mbetet për tu parë nëse ashpërsimi i dënimeve për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor që kanë hyrë në fuqi këto ditë do të japin efekt në parandalimin e aksidenteve të rënda rrugore.
(A2 Televizion)