Në një kohë kur mazhoranca qeverisëse ka vendosur të respektojë minoritetin e Maqedonisë së Veriut duke i lënë Pustecin bashki edhe pse me një numër të ulët banorësh dhe performancë të dobët, fqinjët nuk përgjigjen me të njëjtën monedhë.
Zyrtarët e Shkupit dhe bashkëkombësit e tyre në territor shqiptar vendosin të injorojnë simbolet kombëtare. Ditën e enjte, në një aktivitet kulturor të përvitshëm nuk u vendos himni kombëtar i Shqipërisë, ku i pranishëm ishte vetë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Për këtë incident që nuk ndodh për herë të parë, reagimi i Tiranës zyrtare ishte me një gjuhë të zbutur, jo me tone të ashpra. Ministria e Jashtme tregon keqardhjen e saj për veprimin.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaron: "MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit".
Edhe pse një rast i përsëritur, Ministria e Jashtme i kërkon Shkupit zyrtar që për hir të fqinjësisë së mirë duhet të respektohen simbolet kombëtare.
"Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona", vijon deklarata.
Pak këtij incidenti, zyrtarët maqedonas të cilët ishin të pranishëm u justifikuan që aktiviteti nuk ishte i organizuar nga ata, por nga shoqatat lokale.
Por pa përmendur që ky rast është përsëritur dy herë vetëm brenda këtij viti, pasi edhe më 10 maj në Tumenec, ku ishte i pranishëm kryeministri Mickoski, maqedonasit sërish “harruan” të vendosin himnin kombëtar.
(A2 Televizion)