Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se specialistët ukrainas po fillojnë një mision në Danimarkë për të ndarë përvojën e Ukrainës në luftimin e dronëve.
Sipas mediave të huaja, Zelensky tha se ata do të marrin pjesë në “stërvitje të përbashkëta me partnerët”, të cilat mund të formojnë themelin për një sistem të ri për t’iu kundërvënë dronëve.
“Përvoja e Ukrainës është më e rëndësishmja në Evropë sot dhe është pikërisht ekspertiza jonë, specialistët tanë dhe teknologjitë tona që mund të bëhen një element kyç i murit të dronëve të Evropës së ardhshme, një projekt në shkallë të gjerë që do të garantojë sigurinë në qiell”, shkroi Zelenskyy në mediat sociale.
Kjo deklaratë vjen pasi dronë të paidentifikuar u zbuluan në hapësirën ajrore të Danimarkës javën e kaluar, i fundit në një valë ndërhyrjesh në hapësirën ajrore të NATO-s, shkruan A2 CNN.
Kjo e shtyu BE-në të ecë përpara me planet për një mur me dronë në mbrojtjet e saj lindore, megjithëse Kremlini tha se një veprim i tillë do të ishte përçarës. (A2 Televizion)