Prioriteti kryesor i Sirisë tashmë është rindërtimi i vendit dhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare.
Kështu është shprehur në një intervistë për mediat e huaja, kreu i forcave rebele të cilët larguan nga pushteti Presidentin Bashar Al-Assad.
Abu Mohammed al-Jolani, tani përdor emrin e tij të vërtetë, Ahmed al-Sharaa. I veshur me një kostum, me një këmishë të bardhë dhe pa kravatë, sundimtari i ri de facto i Sirisë u shfaq i zhytur në mendime dhe si burrë shteti shpalosi vizionin e tij për të ardhmen e vendit.
“Sanksionet ekonomike u vendosën ndaj “xhelatit” të popullit sirian. Ne sirianët, po ndëshkohemi për aktet e xhelatit tonë, i cili nuk është më me ne. Ne kërkojmë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar në ndjekjen penale të kriminelëve të regjimit të Asadit dhe rikuperimin e parave të vjedhura ndaj sirianëve”, tha Ahmed al-Sharaa, Lideri i Sirisë.
Gjatë intervistës, e cila zgjati gati një orë, Sharaa iu përgjigj pyetjeve mbi të ardhmen e shtetit sirian, ushtrinë, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe pritshmëritë e tij nga bashkësia ndërkombëtare.
“Klasifikimi ynë si organizatë terroriste është rezultat i një vullneti politik. Ne kemi kryer operacione ushtarake, nuk kemi shënjestruar civilët. Terrorizmi ka të bëjë me shënjestrimin e civilëve dhe ne nuk e kemi bërë këtë”, tha Sharaa, citon Francë 24.
Sharaa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t'i japë Sirisë një shans për të krijuar fatin e saj, pasi lufta civile 13-vjeçare tërhoqi fuqitë rajonale dhe globale në fushën e betejës në një luftë përfaqësuese që shkatërroi vendin. Ai përmendi edhe intervenimin e fundit izraelit në tokat siriane, shkruan A2 CNN.
“Izraeli kishte alibinë për të goditur në Siri. Këto milici nuk janë më atje. Ne nuk duam konflikt as me Izraelin, as me vendet e tjera. Siria nuk do të përdoret për të synuar vende të tjera. Sirianët janë të lodhur dhe thjesht duhet të jetojnë në paqe”, tha Ahmed al-Sharaa, Lideri i Sirisë.
Kur u pyet për filozofinë e tij të qeverisjes mes shqetësimeve, veçanërisht në mesin e pakicave fetare të Sirisë, mbi pluralizmin dhe tolerancën, Sharaa theksoi në mënyrë të përmbledhur se, Siria e nesërme do të jetë një pasqyrim i Sirisë së vërtetë dhe zakoneve të saj. Misioni ynë është të ndërtojmë Sirinë”, përfundoi lideri aktual i Sirisë. (A2 Televizion)