
Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare janë stabilizuar, duke zbritur nën nivelin 100 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet po reagojnë me optimizëm ndaj zhvillimeve të fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Aktualisht, një fuçi naftë tregtohet nën këtë prag psikologjik, ndërsa investitorët shpresojnë për një zbutje të konfliktit në rajon. Kjo vjen pasi ka hyrë në fuqi një armëpushim 10-ditor mes Libanit dhe Izraelit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të zhvillojnë bisedime gjatë fundjavës.
Kontratat e ardhshme për naftën e papërpunuar Brent kanë rënë me 61 cent, duke u tregtuar nën 98 dollarë për fuçi.
Një nga pikat kyçe të ngërçit mbetet Ngushtica e Hormuzit, e cila vijon të jetë e bllokuar prej shtatë javësh, duke penguar rreth një të pestën e furnizimit global me naftë.
Çmimet e naftës pësuan një rritje të fortë prej rreth 50% gjatë muajit mars, në një periudhë rekord, ndërsa vetëm së fundmi kanë rënë nën 100 dollarë për fuçi, duke qëndruar këtë javë në intervalin rreth 90 dollarë.
Sipas analistëve, rreth 13 milionë fuçi nafte në ditë janë ndikuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi tregjet globale. (A2 Televizion)