Negociatorët iranianë, të rrezikuar nga një sulm i mundshëm izraelit, u shoqëruan nga forcat ajrore të Pakistanit

Nga A2 CNN
17 Prill 2026, 13:47 | Bota

Negociatorët iranianë, të rrezikuar nga një sulm i

Forcat ajrore të Pakistanit shoqëruan negociatorët iranianë për në shtëpi pas bisedimeve të paqes me SHBA-në fundjavën e kaluar, duke ndërmarrë një operacion të madh pasi iranianët thanë se Izraeli mund të përpiqej t’i vriste ata, thanë tre burime për Reuters.

Pakistani vendosi rreth dy duzina avionësh për eskortën, si dhe sistemin e paralajmërimit dhe kontrollit ajror (AWACS) për mbikëqyrje ajrore, për të garantuar sigurinë e delegacionit gjatë kthimit nga Islamabad, thanë dy burime pakistaneze që kishin dijeni për operacionin. Njëri prej tyre tha se mbrojtje e ngjashme do të ofrohej edhe për bisedime të ardhshme nëse iranianët e kërkojnë, “përndryshe avionët pakistanezë do t’i marrin në hapësirën ajrore të Pakistanit”.

Një burim i tretë i përfshirë në bisedime tha se masa të tilla ishin tashmë në përgatitje për një raund të ri të pritshëm bisedimesh që mund të zhvillohet që këtë fundjavë.

Një diplomat rajonal i informuar nga Teherani tha se Pakistani këmbënguli për eskortën pasi delegatët iranianë ngritën një mundësi “hipotetike” të një kërcënimi.

Diskutimet me delegacionin iranian për një kërcënim të mundshëm gjatë udhëtimit dhe praninë e një eskorte ajrore pakistaneze drejt Iranit nuk janë raportuar më parë.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Misioni i përhershëm i Iranit në Gjenevë, si dhe forcat ajrore dhe ushtria pakistaneze, gjithashtu nuk iu përgjigjën pyetjeve për operacionin. Ambasada amerikane në Islamabad nuk komentoi.

“Kur bisedimet dështuan, iranianët ishin të shqetësuar se gjërat nuk kishin shkuar mirë. Ata dyshonin se mund të bëheshin objektiv,” tha një burim sigurie.

“Ky ishte një mision i madh operacional nga këndvështrimi i një piloti. Ju merrni përgjegjësi për një delegacion që vjen për bisedime, i siguroni mbrojtje ajrore dhe keni avionë luftarakë të fuqishëm për të kundërshtuar çdo kërcënim,” shtoi ai.

Burimi i përfshirë në bisedime, që përfaqësonin angazhimin më të lartë mes dy vendeve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, konfirmoi eskortën ajrore, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“I shoqëruam deri në Teheran. Siguria e tyre ishte përgjegjësia jonë edhe përtej kohës që kaluan këtu,” tha ai.

Misioni i së dielës për në Iran përfshinte avionë J-10 të prodhuar në Kinë, avionët më të avancuar në flotën e forcave ajrore pakistaneze, tha një zyrtar.

Delegacioni iranian, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi dhe kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, një ish-ushtarak dhe pilot i certifikuar, kërkoi eskortën e sigurisë, e cila shkon përtej protokolleve normale, thanë dy burime sigurie.

Diplomati rajonal tha se iranianët nuk bënë një kërkesë formale, por gjithashtu nuk e përjashtuan “mundësinë që Izraeli mund të godasë edhe avionin”, çka bëri që Pakistani të këmbëngulte për eskortë.

Delegacioni nuk u ul në Teheran, tha diplomati, duke refuzuar të japë detaje për vendin ku u zbritën.

Izraeli kishte Araqchi dhe Qalibaf në listën e objektivave deri sa Pakistani i kërkoi Uashingtonit të ndërhynte për t’i hequr nga lista, pasi përndryshe nuk do të kishte më me kë të negociohej për luftën që SHBA-ja dhe Izraeli nisën më 28 shkurt.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha muajin e kaluar: “Nuk do të jepja garanci për jetën e asnjë lideri të organizatës terroriste,” duke iu referuar Iranit. “Nuk kam ndërmend të jap detaje për atë që planifikojmë ose do të bëjmë.”

Pak para se të arrihej një armëpushim javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetet sociale: “Një civilizim i tërë do të zhduket sonte, për të mos u kthyer më kurrë. Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë.”

Disa orë pasi delegacionet iraniane dhe amerikane, e udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, u larguan nga Pakistani pa rezultat, burimet i thanë Reuters se dialogu ende vazhdon.

Trump tha të enjten se lufta “duhet të përfundojë shumë shpejt” dhe se bisedimet mund të zhvillohen në Islamabad këtë fundjavë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos