
Një tërmet i fortë ka goditur qytetin e Napolit në Itali, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme materiale. Lëkundja kryesore u regjistrua në orën 19:46 dhe sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), pati magnitudë 4.7, e konsideruar më e forta e 40 viteve të fundit.
Epiqendra e tërmetit u lokalizua në zonën e Campi Flegrei, rreth 6 kilometra larg Napolit. Lëkundjet u ndjenë në të gjithë qytetin dhe në komunat përreth. Më pas, rreth orës 22:00, u regjistrua edhe një tjetër tërmet me magnitudë 3.8.
Sipas autoriteteve italiane, deri tani raportohen 10 persona të plagosur, ndërsa janë konstatuar dëme në disa ndërtesa dhe në disa kisha.
Ministri italian për Mbrojtjen Civile dhe Politikat e Detit, Nello Musumeci, bëri të ditur se autoritetet janë angazhuar për të kufizuar sa më shumë pasojat për familjet e prekura.
“Kam biseduar me prefektin e Napolit dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me kreun e Departamentit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, i cili mblodhi menjëherë Njësinë e Krizës. Po e ndjekim situatën me vëmendjen maksimale dhe po garantojmë koordinim të plotë mes të gjitha strukturave operative për të ofruar ndihmë për popullsinë dhe për të monitoruar territorin”, deklaroi Musumeci. (A2 Televizion)