Valë protestash kundër “Territoriales”, Divjaka, Memaliaj, Selenica e Poliçani kundër

Nga A2 CNN
31 Korrik 2026, 22:57 | Politikë

Kanë nisur kundërshtimet në disa bashki të vendit ndaj propozimit të mazhorancës për shkrirjen dhe bashkimin e njësive vendore në kuadër të reformës së re territoriale. Sot në protestë dolën qytetarët e Divjakës dhe Memaliajt, të cilët kërkuan tërheqjen e draftit, raporton A2CNN. 

Në Divjakë, protestuesit kundërshtuan bashkimin me Bashkinë e Lushnjës, duke argumentuar se qyteti ka potencial ekonomik dhe numër banorësh për të vijuar si bashki më vete. Protestës iu bashkuan kryetari i bashkisë, Josif Gorrea, administrata vendore dhe deputeti i PD-së, Saimir Korreshi. Qytetarët paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse drafti nuk tërhiqet.

Edhe në Memaliaj, qytetarët protestuan kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë, duke theksuar se ndryshimet do të vështirësonin aksesin në shërbimet publike dhe do të dobësonin përfaqësimin e komunitetit. Protestës iu bashkua edhe deputeti Tritan Shehu.

Kundërshtimet ndaj reformës territoriale po shtrihen në disa bashki të vendit. Më herët protestuan banorët e Selenicës, ndërsa në Poliçan protesta u shoqërua me djegien simbolike të kartave të anëtarësisë së Partisë Socialiste dhe me dorëheqjen e kreut të degës së PS-së.

Ndërkohë, në Klos, administrata e bashkisë bojkotoi punën në shenjë proteste ndaj propozimit që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos