Analisti Ben Andoni thekson se dokumenti “Besa” i paraqitur nga kryeministri Edi Rama për protestuesit në bulevard nuk është përthithur dhe po snobohet prej tyre. I ftuar në emisionin “Në çdo kënd” me Merita Haklajn në A2CNN, Andoni thotë se Rama thjesht po përpiqet të arnojë mandatin e tij të katërt dhe e ka humbur lidhjen me realitetin shqiptar.
“Z.Rama më duket i baraslarguar edhe nga partia e tij, edhe nga protestuesit. Edhe koncepti që ka zgjedhur për dokumentin që ai paraqet dhe që është një lloj kontrate e re sociale, por për mua kontrata të tilla bëhen nga zgjedhjet, nuk bëhen as në mesin e mandatit. Në një fare mënyre mundohet që të arnojë mandatin e tij të katërt përpara një publiku që gjithmonë e më shumë është dyshues për gjithë veprimet e tij. Pjesa më e madhe e enturazhit socialist është jo mbështetëse, që do të thotë jo vetëm s’e kanë përthithur si material, por është aq abstrakt saqë nuk arrijnë ta shpjegojnë para njerëzve. Sepse një dokument që ka një emër parapolitik, s’mund t’i shërbejë një lëvizje që kërkon ndryshime politike moderne. Është një shumë paradoks i madh", tha Andoni.
"Z.Rama ka kohë që e ka humbur lidhjen me realitetin shqiptar. Pretendon që e njeh, por jo vetëm ai, por të gjithë njerëzit socialistë, e kanë humbur realitetin ku jeton shqiptari sot. Jo thjesht për mënyrën si kumtojnë, jo vetëm për mënyrën si po e drejtojnë shtetin e tyre. Ky material jo vetëm s’është përthithur, por ka arritur që të snobohet, që është momenti më i vështirë për z.Rama”, vijoi analisti. (A2 Televizion)