Rusia ka goditur kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, me një tjetër valë masive raketash balistike, duke lënë të paktën 9 persona të vrarë dhe 28 të plagosur, mes tyre edhe katër fëmijë.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në disa zona të qytetit, ndërsa dëme u raportuan në shtatë distrikte të Kievit. Sulmet shkaktuan zjarre, dëmtime të ndërtesave dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se banorët e Kievit kishin kaluar një natë ferri, duke akuzuar Rusinë se po intensifikon sulmet ndaj civilëve, pasi nuk ka arritur objektivat e saj në vijën e frontit.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 10 shpërthime kishin tronditur kryeqytetin. Ai bëri të ditur se sulmi ndaj qytetit u krye kryesisht me raketa balistike dhe se janë raportuar dëme në disa zona.
“Një tjetër sulm ndaj qytetit të Kievit u krye kryesisht me raketa balistike. Janë raportuar dëme në pesë lagje të qytetit. Deri në këtë moment, kemi informacion se nëntë civilë kanë humbur jetën, ndërsa 17 persona janë shtruar në spital”, deklaroi Klitschko.
Banorët treguan momentet e tmerrit gjatë sulmit.
“Dukej sikur po dridhej e gjithë ndërtesa. Dhe sapo u fikën dritat, ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm. Kur u kthyem, dritat ishin ndezur sërish, por nga apartamenti pothuajse nuk kishte mbetur asgjë. Kishin mbetur vetëm muret, dyert e shkatërruara, dritaret e thyera dhe xhamat e copëtuar.”
Një raketë ra pranë ambasadës lituaneze, duke thyer dritare dhe duke shpërndarë mbetje objektesh përreth, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Lituanisë.
Pamjet nga vendngjarja treguan ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit duke punuar mes rrënojave, ndërsa automjete të djegura dhe ndërtesa të dëmtuara dëshmonin për fuqinë e goditjeve.
Ky është sulmi i dytë i madh ndaj Kievit brenda kësaj jave. Të enjten, një tjetër valë sulmesh ruse vrau të paktën 9 persona, përfshirë 6 anëtarë të një familjeje.
Gjithashtu, pak ditë më parë, një raketë lundruese, që dyshohet se ishte lëshuar nga Rusia, ra në territorin e Polonisë. (A2 Televizion)