“Egoiste e të paligjshme!”, Spanja dënon reagimet e disa vendeve të BE, letër von der Leyen

Nga Rosalba Bejdo
1 Gusht 2026, 13:27 | Bota

Spanja ka dënuar reagimet e disa vendeve të Bashkimit Evropian pas fluksit të rreth 60 mijë migrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës, duke i cilësuar ato si egoiste, përçarëse dhe të paligjshme.

Italia pezulloi përkohësisht zbatimin e marrëveshjes Schengen me Spanjën. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i përshkroi ngjarjet si tronditëse, ndërsa Finlanda dhe Danimarka mbështetën vendimin italian. Edhe kryeministri çek, Andrej Babiš, kërkoi pezullimin e përkohshëm të anëtarësimit të Spanjës në zonën Schengen, shkruan A2CNN. 

Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu shqetësimin për qëndrimin e disa qeverive evropiane. Ai theksoi se Spanja riktheu kontrollin e plotë të kufirit brenda 48 orëve dhe pengoi çdo lëvizje të paautorizuar drejt Evropës kontinentale.

Sánchez shtoi se, ndonëse shumica e vendeve shprehën solidaritet, disa qeveri zgjodhën të sulmonin Spanjën, duke u udhëhequr, sipas tij, nga paragjykimet, dezinformimi dhe interesat politike.

Ai rikujtoi gjithashtu se Ceuta nuk është pjesë e zonës Schengen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos