
Rusia ka kryer një sulm të gjerë ndaj Ukrainës me raketa balistike dhe dronë, duke shkaktuar të paktën 17 viktima dhe 44 të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.
Sulmi, i cili nisi pas mesnatës, goditi disa zona në Kiev, përfshirë ndërtesa banimi, një stacion hekurudhor dhe objekte të tjera. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se ekziston frika se persona mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se sistemet mbrojtëse kundër raketave, përfshirë interceptorët, mund të kishin shpëtuar jetë njerëzish. Ai kritikoi vonesat në furnizimin me sisteme antibalistike nga partnerët ndërkombëtarë, duke thënë se ato sjellin "viktima dhe shkatërrime të tmerrshme".
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë sulmit Rusia lëshoi 24 raketa balistike, katër raketa kundër anijeve dhe 115 dronë. Autoritetet ukrainase njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore arritën të neutralizonin 98 dronë.
(A2 Televizion)