Raketa të fuqishme balistike, dronë, shpërthime dhe zjarr në Ukrainë. Ushtria e Moskës është hakmarrë ndaj Kievit për sulmet e fundit.
Sipas raportimeve, të paktën 15 persona janë vrarë dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur në një nga sulmet më vdekjeprurëse në Kiev këtë vit.
Bombardimet, të cilat nisën pas mesnatës së së mërkurës, u shoqëruan me sulme të shumta ajrore. Kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, Timur Tkachenko, deklaroi se “armiku po sulmon përsëri masivisht rajonin e Kievit”.
Alarmet për sulme ajrore ishin aktive për më shumë se një orë, ndërsa valë raketash balistike goditën qytetin dhe periferitë e tij.
Administrata ushtarake e Kievit bëri me dije se sulmet dëmtuan ndërtesa banimi dhe depo. Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj furnizime me më shumë raketa interceptuese Patriot, të prodhuara në SHBA, për t’u mbrojtur nga sulmet balistike ruse.
Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha se kishte goditur qendra logjistike dhe furnizimi në Kiev dhe në rajonin përreth. Gjithashtu, ajo deklaroi se kishte goditur tre anije mallrash “që po transportonin armë dhe pajisje ushtarake” pranë portit të Odesës në Detin e Zi.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri me dije se persona mund të kishin mbetur të bllokuar nën rrënoja pas sulmeve në qendër të qytetit.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit gjatë javëve të fundit, ndërsa edhe Ukraina ka rritur sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile ruse, përfshirë objektet energjetike.
Gjithashtu, Ukraina ka shënjestruar vazhdimisht depo, përfshirë ato të gjigantit rus të tregtisë elektronike Wildberries.
(A2 Televizion)