
Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq tre persona, të cilët mashtronin shtetasit e huaj si të rifitonin paratë e humbura në “Call Center”. Aktiviteti i paligjshëm i shtetasve K.S., F.K. dhe E.A kryhej në zonën e Selitës.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A., të akuzuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe ‘Moskallëzim krimi’ parashikuar nga nenet 143/b/2 dhe 300 të Kodit Penal. Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.8513 viti 2025, të nisura nga informacionet e marra në rrugë operative për një ambient në rrugën Zalli, Selitë, kati i 2, ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i ‘call center’, janë kryer veprimet procedurale me iniciativë dhe brenda ambienteve janë gjetur të akuzuarit dhe persona të tjerë të ulur në postet e përshtatuara si zyrë. Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se shtetasit K.S. dhe F.K. kanë qenë personat që kanë rekrutuar punonjësit. Këta shtetas shpjegonin procesin e punës, i cili kishte të bënte me bindjen e shtetasve të huaj për të rifituar përsëri paratë e humbura (Recovery)”.
“Hetimet zbuluan se agjentët merrnin informacione nga klientet për situatën e tyre të humbjes së lekëve dhe jepnin zgjidhjen për kthimin mbrapsht të tyre. Ata informoheshin për gjendjen e klienteve, në çfarë situate ishin, sesi i kanë humbur lekët dhe më çfarë kompanish kanë bashkpunuar më përpara. Më pas klienteve iu linte takim me ekspertin për shqyrtimin e ngjarjes dhe vazhdimësinë e telefonateve të tyre i merrnin në shqyrtim shtetasit K.S. dhe F.K. Sa më sipër u bë arrestimi i shtetasve K.S. dhe F.K., dhe dërgimi në gjyq i tyre për veprën penale ‘Mashtrimi kompjuterik’, ndërsa shtetasi E.A. për veprën penale ‘Moskallëzim i krimit’”.
(A2 Televizion)