
Ushtria amerikane ka përdorur pjesën më të madhe të rezervave të saj globale të raketave me rreze të gjatë veprimi shumë të saktë gjatë luftës pesëmujore me Iranin, sipas tre personave të njohur me të dhënat raporton “Reuters”, duke ngritur shqetësime në lidhje me gatishmërinë e ushtrisë për konflikte të ardhshme.
Raketat janë kryesisht armët tokë-tokë të Ushtrisë, të njohura si Sisteme Taktike të Raketave të Ushtrisë (ATACMS) dhe Raketa me Sulm Preciz (PrSM). SHBA-të i kanë përdorur "pothuajse të gjitha" këto armë, sipas dy burimeve. Nuk ka patur raportime të mëhershme në lidhje me shkallën në të cilën ushtrisë amerikane po i mbarojnë sistemet ATACMS dhe raketat precize të sulmit.
Municionet me rreze të gjatë veprimi, të cilat kushtojnë më shumë se 1 milion dollarë secila, janë një pjesë e rëndësishme e arsenalit të ushtrisë, duke lejuar sulme të sakta nga një distancë e sigurt. ATACMS-të e furnizuara nga SHBA-ja kanë luajtur një rol kyç në luftën në Ukrainë,
duke u lejuar forcave ukrainase të sulmojnë objektiva brenda Rusisë. PrSM është një brez më i ri dhe më i përparuar që do të zëvendësojë ATACMS-të, të cilat kanë një rreze veprimi më të shkurtër.
Trump e nisi luftën kundër Iranit së bashku me Izraelin në shkurt, duke parashikuar se konflikti do të zgjaste për një kohë të shkurtër. Por, ndërsa lufta vazhdon, tre personat e njohur me çështjen shprehën shqetësimin se rënia e furnizimeve me raketa mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për të penguar kundërshtarët, përfshirë Rusinë dhe Kinën.
Një person i katërt i njohur me çështjen tha se pavarësisht përdorimit të lartë të armëve me precizion të lartë, SHBA-të mund të rifurnizohen. Komanda Qendrore, e cila mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Mesme, ka qenë në gjendje të rimbushet nga furnizimet ushtarake amerikane në të gjithë botën, tha personi. Burimet e intervistuara për këtë artikull folën në kushte anonimiteti.
E pyetur për koment mbi të dhënat e rezervave, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë nga Trump, duke thënë se SHBA-të kishin "shumë më shumë municione se kushdo në botë" dhe "shumë më tepër sesa na duhen".
(A2 Televizion)