NATO në Ukrainë?! Macron nuk heq dorë: Nëse na e kërkon Kievi, do futemi

Nga Erjon Dervishi
2 Maj 2024, 23:24 | Bota

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron nuk heq dorë nga ideja e tij për të dërguar trupa tokësore në Ukrainë. Në një intervistë për britaniken “The Economist”, Macron përsëriti atë që kishte thënë disa javë më parë për dërgimin e trupave nëse Rusia avancon në drejtim të frontit lindor dhe nëse Kievi e kërkon këtë gjë. 

“Nëse rusët do të thyenin vijën e parë të frontit, nëse do të kishte një kërkesë ukrainase, ne duhet të shtronim në mënyrë legjitime çështjen e dërgimit të trupave”, tha Macron për të përjavshmen britanike.

“Të përjashtosh apriori do të thotë të mos mësosh mësimin e dy viteve të fundit, ku vendet e NATO-s fillimisht refuzuan të dërgonin tanke dhe avionë në Ukrainë përpara se të ndryshonin mendje”, shtoi Presidenti francez.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka ironizuar deklaratën e Macron duke e krahasuar me ciklin e javës të një gruaje, citon Agjencia e lajmeve Tass. 

Deklaratat e Macron vijnë në momentin kur forcat ruse kanë arritur të depërtojnë dhe të fitojnë terren në disa fshatra të tjerë në zonën Avdiivka në Donetsk. Ushtarakë ukrainas konfirmojnë faktin se rusët kanë depërtuar thellë në lindje, shoqëruar kjo edhe me një rënie të moralit të ushtrisë së Ukrainës dhe dëshirë për t’i dhënë sa më parë fund luftës. Të pyetur nga Reuters, ushtarë dhe gjeneral të lartë të Ukrainës flasin për mungesë të predhave. Sipas tyre, rrezikohet që lufta të kthehet në favor të Moskës. 

Forcat ukrainase janë angazhuar për të ndërtuar më shumë fortifikime mbrojtëse në vendet përgjatë vijës së frontit në rreth 1000 kilometra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos