Ndalohet sulmi me bombë në koncertin me 2.1 milionë persona të Lady Gaga-s

Nga A2 CNN
4 Maj 2025, 18:54 | Bota

Ndalohet sulmi me bombë në koncertin me 2.1 milionë persona

Policia braziliane ka zbuluar dhe ndaluar një komplot për një atentat me bombë që synonte koncertin historik të Lady Gaga-s në plazhin Copacabana të Rio de Janeiros, që mblodhi mbi 2.1 milionë njerëz të shtunën mbrëma.

Sipas Policisë Civile së Rio de Janeiros, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, plani u orkestrua nga një grup që promovon gjuhën e urrejtjes dhe radikalizimin e adoleshentëve përmes përmbajtjes së dhunshme dhe vetëdëmtimit si formë e përkatësisë sociale.

Hetimet zbuluan se grupi po rekrutonte pjesëmarrës, përfshirë edhe të mitur, për të kryer sulme të koordinuara me eksplozivë artizanalë dhe koktej Molotovi. Sipas autoriteteve, rekrutuesit prezantoheshin si pjesë e fanbase-it global të Lady Gaga-s, të njohur si “Little Monsters”.

Operacioni nisi pas një sinjalizimi nga inteligjenca e policisë së shtetit të Rio de Janeiros dhe u zhvillua nga Laboratori i Operacioneve Kibernetike pranë Ministrisë së Drejtësisë, i cili identifikoi grupe të vogla dixhitale që inkurajonin sjellje të dhunshme tek adoleshentët, duke përdorur gjuhë të koduar dhe simbole ekstremiste.

Një burrë, i konsideruar si lider i grupit, u arrestua në shtetin Rio Grande do Sul për armëmbajtje pa leje, ndërsa një adoleshent në Rio u ndalua për mbajtje të materialeve pornografike me të mitur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos