Një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë, i udhëhequr nga British Antarctic Survey, ka zbuluar gjurmë gjigante në fundin e Detit të Veriut, të lëna nga ajsbergët, që lundruan në ato ujëra rreth 18.000 vjet më parë, në fundin e Epokës së fundit të Akullit. Ky zbulim hedh dritë mbi një peizazh të zhdukur dhe ngre alarmin për atë që mund të ndodhë me Antarktidën përballë ngrohjes globale.
Duke përdorur të dhëna sizmike të mbledhura fillimisht për kërkime të gazit dhe naftës, studiuesit identifikuan brazda të thella të fshehura nën disa metra sedimente. Këto gjurmë, disa kilometra të gjera, janë skalitur nga ajsbergë kolosalë që u shkëputën nga shtresa e akullit që dikur mbulonte Britaninë dhe Skandinavinë, shkruan A2 CNN.
Gjatë fundit të akullnajave, nivelet e detit ishin shumë më të ulëta, dhe pjesa jugore e Detit të Veriut ishte tokë, duke lidhur Britaninë me Evropën. Në këtë peizazh të ngrirë u formuan ajsbergët e mëdhenj që tani kanë lënë dëshmi të rrugëtimit të tyre mbi shtratin detar, ngjashëm me ato që ndodhin sot me akujt e Antarktidës.
Studiuesit vunë re se gjurmët e ajsbergëve bëhen gjithnjë e më të vogla dhe të dredhura, çka tregon se, me rritjen e temperaturave, ata shpërbëheshin ngadalë – një proces i ngjashëm me atë të ajsbergut A68a që filloi të çahej në 2021.
Ky zbulim është një pasqyrë e fuqishme për të ardhmen tonë klimatike. Ai ndihmon shkencëtarët të përmirësojnë modelet që parashikojnë shkrirjen e akujve në Groenlandë dhe Antarktidë, dhe të kuptojnë më mirë rreziqet e rritjes së nivelit të deteve në të ardhmen. Ajo që ndodhi 18 mijë vjet më parë mund të jetë duke ndodhur përsëri. (A2 Televizion)