“Nuk do përdorim armët bërthamore”, Putin: Rusia do arrijë atë që kërkon nga Ukraina

Nga Erjon Dervishi
4 Maj 2025, 15:43 | Bota

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se Rusia kishte fuqi dhe burime të mjaftueshme për ta çuar luftën në Ukrainë në përfundimin e saj logjik dhe si rrjedhojë nuk do të jetë e nevojshme përdorimi i armëve bërthamore.

Në një film të transmetuar nga televizioni shtetëror për çerek shekullin e Putinit si lideri kryesor i Rusisë, me titull "Rusia, Kremlin, Putin, 25 vjet", shefi i Kremlinit u pyet nga një gazetar për rrezikun e përshkallëzimit bërthamor nga lufta në Ukrainë.

“Ata donin të na provokonin, ashtu siç edhe ju e thatë, ata donin që ne të bënim gabime. Nuk ishte nevoja për të përdorur armët bërthamore dhe shpresoj që përdorimi i tyre nuk do të jetë i nevojshëm. Kemi fuqi të mjaftueshme dhe qëllime për të arritur atë që filloi në vitin 2022, në një konkluzion të logjikshëm me kërkesat që Rusia kërkon”, tha Putin, shkruan A2.

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, qindra mijëra ushtarë janë vrarë ose plagosur, fakt i cili ka alarmuar Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, edhe pse ky i fundit nuk ka mundur dot ti japë fund kësaj lufte. 

Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy e ka quajtur "cinike" ofertën e Vladimir Putinit për një armëpushim tre-ditor që përkon me festimet që shënojnë 80-vjetorin e fitores ndaj nazistëve. “Rusët po bëjnë thirrje për heshtje më 9 maj, por ata vetë po e godasin Ukrainën çdo ditë. Ky është cinizëm i nivelit më të lartë”, shkroi ai në Telegram.

Sakaq, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, ka bërë një kërcënim të ashpër ndaj Ukrainës në rast të një sulmi ndaj Moskës gjatë festimeve të fitores në Luftën e Dytë Botërore më 9 maj. Askush nuk mund të garantojë se kryeqyteti ukrainas, Kievi, do të mbijetojë deri më 10 maj, tha ish-presidenti dhe ish-kryeministri të shtunën në shërbimin e mesazheve të shkurtra Telegram. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos