Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pritet të bisedojë me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, në kuadër të një nisme të re nga Shtëpia e Bardhë për të arritur një armëpushim në luftën në Ukrainë.
Steve Witkoff, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për konfliktet, i cili është takuar tre herë me Putinin, ka theksuar se biseda me presidentin rus do t’i “kontribuojë identifikimit të asaj se ku jemi tani dhe se si mund t’i përmbyllim këto negociata”.
“Ata e njohin njëri-tjetrin. Presidenti është i vendosur të bëjë diçka. Nëse ai s’mund të bëjë gjë, askush s’mundet”, ka thënë Witkoff në një intervistë për ABC News, në fundjavë.
Trump kishte paralajmëruar telefonatat pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas u takuan në Stamboll për bisedime të drejtpërdrejta. Ai ishte takimi i parë i palëve që nga javët e hershme pas nisjes së pushtimit të gjerë rus të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022.
(A2 Televizion)