Bashkimi Europian dhe negociatorët britanik janë dakordësuar mbi një ujdi për të rindërtuar marrëdhëniet post-Brexit, teksa kryeministri Keir Starmer pret liderët e bllokut në një samit të Londër.
Diplomatët europianë thanë të hënën se një ujdi ishte arritur pas bisedimeve të mbajtura në orët e vona të së dielës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me çështjet kyçe. Shtetet anëtare të BE kanë aprovuar 3 tekste që pritet të nënshkruhen, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, por edhe një ujdi të rëndësishme të minutave të fundit, mbi çështjen e ndjeshme të të drejtave të peshkimit.
Siç mësohet, bëhet fjalë për një marrëveshje 12-vjeçare që do të lejojë anijet e bllokut të peshkojnë në ujërat britanikë. Ujdia pritet të ngjallë debate në Mbretërinë e Bashkuar, por qeveria pritet t’i mëshojë faktit se ka siguruar të drejta më të favorshme tregtare për produktet ushqimore dhe bujqësore të Britanisë në BE.
Marrëveshja parashikon reduktim të kontrolleve ndaj eksporteve ushqimore të Londrës në Bashkimin Europian. Siç bëjnë me dije mediat britanike, një pakt për sigurinë dhe mbrojtjen do të jetë në qendër të marrëveshjes që do të zyrtarizohet së shpejti. Të dyja palët theksojnë dëshirën e përbashkët për thellim të bashkëpunimit. Kryeministri Stermer ka kërkuar lidhje më të afërta me fqinjët europianë, teksa laburistët pretendojnë se ujdia e negociuar me BE nga qeveria e mëparshme nuk po funksionon për këdo.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk do të kalojë një sërë vijash të kuqe. Konservatorët po i komentojnë zhvillimet e fundit si një dorëzim nga ana e Londrës. (A2 Televizion)