Ndizet “lufta” e Koresë. Veriu hedh balona me mbeturina, Jugu ndez altoparlantët me lajme kundër Kim Jong un

Nga A2 CNN
9 Qershor 2024, 18:59 | Bota

Ndizet “lufta” e Koresë. Veriu hedh balona me mbeturina, Jugu

Lufta psikologjike ka nisur sërish në gadishullin Korean. Ushtria e Koresë së Jugut ka nisur operacionin "Jehona e Lirisë", të kryer me altoparlantë të mëdhenj që përhapin propagandë me frymë perëndimore drejt veriut komunist.

Transmetimet me volumin në maksimum përcjellin informacion mbi epërsinë ekonomike dhe kulturore të Jugut, përmbajnë mesazhe për prapambetjen dhe izolimin e Koresë së Veriut dhe lajme ndërkombëtare të padëshiruara për regjimin e Phenianit.

"Ky është informacion i dritës dhe shpresës për qytetarët e Koresë së Veriut dhe një përgjigje ndaj veprimeve të neveritshme të urdhëruara nga Kim Jong-un”, thotë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Seulit.

Përhapja e këtyre lajmeve është kundërpërgjigje për balonat plot me mbeturina që Koreja e Veriut hodhi përtej kufirit në fund të majit. Në jug, një mijë thasë të mbushur me materiale si bateri të konsumuara, bishta cigareje, shishe plastike, thembra këpucësh të vjetra e deri jashtëqitje, u lëshuan nga Pheniani.

Në fillim të këtij bombardimi të çuditshëm, natën e 28 majit, mbrojtja civile e Seulit dha alarmin për qytetarët: “Në territorin tonë po bien objekte të dyshimta, kujdes, mos iu afroni, mos i prekni”.

Ekipet e skuadrave të bombave dhe teknikët e riparimit kimik dhe bakteriologjik u dërguan për të rikuperuar balonat që erdhën nga Veriu, nga frika se mos ato përmbanin lëndë shpërthyese ose të kontaminuar.

Pas 700 balonave të para, veriorët ndaluan për disa ditë. Më pas nga Jugu dy grupe refugjatësh koreano-veriorë dërguan rreth njëzet balona me 400 mijë fletëpalosje përtej kufirit dhe Pheniani reagoi me një valë të re mbeturinash. Këtë fundjavë 400 balona të tjera zbarkuan në territorin e Koresë së Jugut, duke e çuar totalin në 1000.

Kështu filloi hakmarrja ushtarake e urdhëruar nga Seuli, me bateritë e altoparlantëve "Echo of Freedom" të vendosura në shpatin jugor të paraleles së 38-të.

Transmetimet, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, kanë një fuqi që i bën mesazhet të dëgjueshme deri në 10 kilometra brenda territorit verior gjatë ditës dhe deri në 24 kilometra në qetësinë e natës.

Strategjia e altoparlantëve është një mbetje e Luftës së Ftohtë. Për dekada, pas Luftës së Koresë (1950-1953) e ndërprerë nga një armëpushim, të dy grupet propagandistike kishin sfiduar njëri-tjetrin me fyerje të lëshuara nga amplifikatorët e tyre të mëdhenj në të dy anët e zonës së demilitarizuar. Në kulmin e operacionit, koreano-jugorët kishin 10 sisteme altoparlantësh fiks dhe kishin rafinuar transmetimet e tyre duke transmetuar edhe këngë nga muzika e tyre e famshme K-pop, dëgjimi i të cilave u ndalohet qytetarëve koreano-veriorë nga censuruesit e regjimit.

Seuli fiku dhe hoqi altoparlantët në prill 2018 , kur Kim Jong-un ishte në muajin e mjaltit me presidentin e atëhershëm të Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe dy Koretë i kishin premtuar njëra-tjetrës një epokë të re paqeje. Por lëvizjet e fundit të Veriut kanë shkatërruar mbetjet e asaj faze të dialogut.

Që nga fillimi i vitit, Kim ka përsëritur se Jugu është "një armik që duhet shkatërruar", duke vijuar me testimet e raketave, topave dhe tankeve.  Në këtë klimë të nxehtë, altoparlantët me lajme dhe muzikë mund të duken si një lojë e padëmshme, por Pheniani ka frikë se forcat e tij të vijës së parë do të demoralizohen nga informacionet që përcjell Jugu.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos