Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendi i tij do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë, për ta ndihmuar atë në mbrojtjen kundër sulmeve ruse.
“Do të dërgojmë më shumë armë. Na duhet”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ata duhet të jenë në gjendje të mbrohen. Tani po goditen shumë rëndë”, tha ai, duke shtuar se SHBA-ja do të dërgojë kryesisht armë mbrojtëse.
Komentet duket se përmbysin njoftimin e Pentagonit të javës së kaluar, ku u tha se SHBA-ja do të ndalojë përkohësisht dërgimin e disa raketave për mbrojtje ajrore dhe armëve të tjera në Ukrainë, për shkak të shqetësimeve se rezervat amerikane janë pakësuar.
Ukraina i ka kërkuar vazhdimisht SHBA-së që t’i dërgojë më shumë raketa dhe sisteme Patriot, të cilat i konsideron thelbësore për mbrojtjen e qyteteve të saj nga sulmet pothuajse të përnatshme ruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, iu referua sërish nevojës për më shumë armatim, gjatë një fjalimi më 7 korrik.
“Ne po punojmë sidomos me palën amerikane për vendimet përkatëse, në lidhje me sistemet Patriot dhe raketat për to”, tha ai.
Pas një bisede telefonike me Trumpin më 4 korrik, Zelensky tha se ishte dakorduar të punojë për forcimin e aftësisë së Kievit “për të mbrojtur qiellin”, në kohën kur sulmet ruse janë intensifikuar.
Ai tha se ka diskutuar me Trumpin për prodhim të përbashkët të mbrojtjes, blerje dhe investime.
Pas telefonatës, Trump tha se Ukraina do të kishte nevojë për raketa Patriot, por gjatë adresimit më 7 korrik nuk i përmendi ato.
Ukraina është duke u mbrojtur kundër pushtimit të plotë rus, që nisi në shkurt të vitit 2022.
Sulmet e natës së shkuar të forcave ruse vranë së paku 11 civilë dhe plagosën më shumë se 80 të tjerë, përfshirë shtatë fëmijë, thanë zyrtarët.
Trump tha se është i vendosur për t’i dhënë fund konfliktit dhe shprehu sërish zhgënjimin e tij në rritje me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Nuk jam aspak i kënaqur me presidentin Putin”, tha Trump.
Më herët, ai ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të reja kundër industrisë ruse të naftës, në përpjekje për ta nxitur Putinin që të hyjë në bisedimet për paqe. REL (A2 Televizion)