Zyra e Prokurorit Federal në Zvicër ngriti akuza ndaj një të dyshuari për lidhje me terrorizmin. Sipas prokurorisë ai mendohet se është përgjegjës për degën zvicerane të një organizate terroriste islamike kosovare.
Organizata terroriste kosovare ka si qëllim jo vetëm që të mbledhë rreth vetes sa më shumë besimtarë për kauzën dhe ideologjinë e saj salafiste-xhihadiste, por synon gjithashtu të përfitojë nga destabilizimi i shtetit të Kosovës dhe që me forcën e armëve të vërë nën kontroll një territor të caktuar dhe të krijojë atje një shtet islamik të qeverisur në emër të Shtetit Islamik nga sheriati, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Federale të Zvicrës.
Në vitet 2014 dhe 2015 disa burra shqipfolës, ndër të cilët edhe 36-vjeçari Emir me shtetësi kosovare dhe i akuzuari i dytë, një 33-vjeçar me shtetësi të dyfishtë zvicerane dhe të Maqedonisë së Veriut, u bashkuan dhe formuar një grup që ndjek ideologjinë e Shtetit Islamik.
Emiri, i akuzuari i parë, dyshohet se është zgjedhur në qershor të vitit 2025 si kreu i grupit, i cili më pas u bë dega zvicerane e organizatës terroriste kosovare
Rekrutim anëtarësh në zonën e Gjenevës
36-vjeçari Emir që ishte personi përgjegjës për grupin akuzohet se me mbështetjen e të akuzuarit të dytë ka indoktrinuar dhe rekrutuar anëtarë të rinj në emër të kësaj organizate terroriste, sidomos në rajonin e Gjenevës. Prokuroria dyshon se ai ka qenë edhe anëtar i organit udhëheqës të grupit terrorist në Kosovë, përgjegjës për degën zvicerane dhe bashkëpërgjegjës për një degë rajonale.
Ai thuhet se ka qenë përgjegjës për menaxhimin e degës zvicerane dhe sigurimin e ndërlidhjes midis udhëheqjes në Kosovë dhe degës së Gjenevës. Po ashtu thuhet se ai ka mbledhur para nga anëtarët e degës së Gjenevës dhe i ka dërguar këto shuma në Kosovë për të financuar aktivitete të ndryshme të organizatës terroriste atje.
Sipas Prokurorisë Federale të Zvicrës të akuzuarit kanë financuar në të njëjtën mënyrë edhe ryshfete për zyrtarë të huaj që ishin përgjegjës për ndjekjen penale të anëtarëve të organizatës terroriste. Kjo i mundësoi njërit prej anëtarëve të kësaj organizate t'i shpëtonte ndjekjes penale.
Leksione nga predikues të huaj
I akuzuari i dytë akuzohet se ka qenë gjithashtu anëtar i degës zvicerane të organizatës terroriste. Thuhet se ai ka marrë pjesë në mbledhjet e saj dhe ka vënë në dispozicion apartamentin e tij për ngjarje të tilla. Përveç kësaj thuhet se ai ka organizuar vizita nga predikues të huaj që janë të njohur si ndjekës të urdhërave dhe bindjeve të Shtetit Islamik.
Prokuroria Federale e Zvicrës e akuzon atë gjithashtu se në mënyrë të pavarur ka bërë propagandë në favor të organizatave terroriste Shteti Islamik dhe Fronti Al-Nusra. Thuhet se ai ka përhapur himne lavdërimi për këto dy organizata terroriste.
Aktakuza hedh dritë edhe mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimorpër organizatat xhihadiste, ku jo vetëm Kosova shërben si qendër lidhëse mes të dyshuarve në Evropën Perëndimoredhe strukturave ndërkombëtare të ISIS-it. (A2 Televizion)