Negociata SHBA-Iran në Gjenevë, Trump: Më mirë një marrëveshje se bombarduesit B2

Nga Rosalba Bejdo
17 Shkurt 2026, 23:03 | Bota

Nën hijen e forcave masive ushtarake të grumbulluara në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara dhe Irani po zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve në Gjenevë, me synimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet bërthamore.

Të dërguarit e Trump, Steve Wittkof dhe Jared Kushner marrin pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani, ndërsa Teherani përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi. Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të përfshihet në mënyrë indirekte në bisedime, ndërsa kërcënoi Iranin të pranonte ujdinë, për të shmangur bombardime të reja.

“Nuk mendoj se ata duan të shohin pasojat e mospranimit të një marrëveshjeje. Ne mund të arrijmë në ujdi në vend të dërgimit të avionëve B-2 për të shkatërruar kapacitetet e tyre bërthamore”, tha Trump, shkruan A2.

Shtetet e Bashkuara po përgatiten për mundësinë e një operacioni ushtarak që mund të zgjasi me javë kundër Iranit, nëse Trump jep urdhërin për të sulmuar, sipas dy zyrtarëve të lartë. Edhe Irani duket se po bëhet gati për mundësinë e një lufte, teksa nisi një stërvitje ushtarake të hënën në Ngushticën e Hormuzit, një itinerar kyç për eksportin global të naftës.

Uashingtoni ka kërkuar të zgjerojë besimet duke përfshirë edhe çështje jobërthamore, si arsenali i raketave balistike, Teherani thotë se është i gatshëm të diskutojë vetëm mbi reduktim të programit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve dhe se nuk do të heqë dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit.

Të hënën, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha në një konferencë për shtyp se ështëe vështirë të negociohet me Iranin, por se SHBA po përpiqej. Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian tha të martën se suksesi në negociata varet nga shmangia e kërkesave jorealiste nga Uashingtoni.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos