
Mesnata ka kaluar në Islamabad, por ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare apo njoftim për shtyp mbi ecurinë e bisedimeve mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë, që po zhvillohen në Pakistan, raporton A2CNN.
Informacioni i kufizuar që ka dalë nga pala iraniane sugjeron se negociatat po përballen me ngërç. Një burim pranë ekipit negociator të Teheranit i tha CNN-it se SHBA-të kanë paraqitur “kërkesa të papranueshme”, veçanërisht në lidhje me Ngushticën e Hormuzit dhe disa çështje të tjera të ndjeshme.
Në të njëjtën linjë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr raporton se pala amerikane ka paraqitur “kërkesa të tepërta”, duke sinjalizuar vështirësi serioze në afrimin e qëndrimeve mes dy vendeve.
Megjithatë pavarësisht dallimeve, burimet sugjerojnë se negociatat nuk janë ndërprerë dhe pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së diel.
Delegacioni amerikan udhëhiqet nga Zëvendëspresidenti JD Vance, i shoqëruar nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa pjesë e ekipit janë edhe këshilltarë të lartë për sigurinë kombëtare dhe çështjet aziatike, çka tregon peshën strategjike të këtyre bisedimeve.
Nga ana tjetër, Irani ka dërguar një delegacion të gjerë prej 71 personash, ku përfshihen negociatorë, ekspertë teknikë, përfaqësues mediatikë dhe personel sigurie.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, këto bisedime konsiderohen historike dhe mund të zgjasin disa ditë për shkak të kompleksitetit të çështjeve në tryezë. Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar në një postim në Truth Social se Ngushtica e Hormuzit do të hapet “shumë shpejt”, duke shtuar edhe më shumë vëmendjen mbi zhvillimet në Islamabad.
(A2 Televizion)