
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Domen të Postribës, në Shkodër, ku një nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur kanë humbur jetën pasi një zjarr përfshiu banesën ku ndodheshin.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, në banesë është gjetur një bombol gazi dhe dyshohet se shpërthimi i saj mund të ketë shkaktuar zjarrin. Shkaqet e sakta të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Gazetari i A2 CNN, Senad Nikshiqi, i cili ndodhet në vendngjarje, raportoi se banesa ndodhet në një terren të thellë malor, ku për të mbërritur nevojiten rreth 20-30 minuta ecje, çka e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe forcave të policisë.
Sipas tij, familja kishte shkuar gjatë ditës në shtëpinë e vjetër, e cila nuk ishte e banuar, për ta pastruar dhe për të qëndruar aty, por u përball me tragjedinë. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, banesa ishte shkrumbuar plotësisht dhe tre viktimat u gjetën pa shenja jete.
Nga të dhënat paraprake, njëri prej fëmijëve është gjetur pranë nënës, ndërsa fëmija tjetër disa metra më larg. Policia dhe grupi hetimor vijojnë veprimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
(A2 Televizion)