Nga sulmet ajrore te rreziku i pushtimit, Libani në prag të katastrofës, mijëra të vrarë e të shpërngulur

Nga Rosalba Bejdo
25 Mars 2026, 22:32 | Bota

Nga sulmet ajrore te rreziku i pushtimit Libani në prag të katastrofës, mijëra të vrarë e të shpërngulur Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi këtë javë se vendi i tij do të pushtojë jugun e Libanit deri në lumin Litani, duke e përdorur atë si një zonë tampon sigurie kundër sulmeve të Hezbollah. Lumi ndodhet rreth 30 km në veri të kufirit Liban-Izrael dhe zona ndërmjet tyre konsiderohet bastion i Hezbollahut.

Por përse Izraeli po sulmon sërish Libanin?

Pas nisjes së luftës ndaj Iranit dhe vrasjes së udhëheqësit suprem Ayatollahu Ali Khamenei, në sulme të përbashkëta të SHBA dhe Izraelit muajin e kaluar, Hezbollah ndërmori disa goditje ajrore drejt veriut të Izraelit. Edhe pse këto sulme u dënuan gjerësisht, reagimi i Izraelit që pas tyre ka qenë thellësisht disproporcional. Mbi 1,000 persona janë vrarë, përfshirë më shumë se 100 fëmijë.

Benjamin Netanyahu shprehet: “Qeveria libaneze dhe populli libanez duhet ta kuptojnë se Hezbollahu po i tërheq ata në një luftë që nuk është e tyrja dhe kjo vetëm për shkak të eliminimit të një vrasësi masiv që nuk ka të bëjë aspak me ta. Ata duhet të kujdesen për veten e tyre, dhe do të ishte e mençur ta bënin sa më shpejt. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për mbrojtjen tonë”.

Izraeli ka goditur jo vetëm jugun e Libanit, por edhe zona të tjera, përfshirë zemrën e kryeqytetit Beirut. Në zona kaq të dendura, goditjet me raketa që rrëzojnë ndërtesa të tëra janë shkatërrimtare. Izraeli ka sulmuar gjithashtu Naqoura, selinë e forcës paqeruajtëse të OKB-së UNIFIL, ku shërbejnë edhe trupa indiane. Është goditur edhe Tyre, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i njohur për rrënojat e periudhës romake.

Mbi një milion njerëz janë zhvendosur. Rreth 150 struktura shëndetësore, përfshirë ambulanca, janë shkatërruar. Situata rrezikon të kthehet në një katastrofë humanitare. Këto sulme vijnë vetëm një vit pas konfliktit të vitit 2024, kur edhe pas një armëpushimi, përplasjet nuk u ndalën plotësisht.

Armëpushimi i nëntorit 2024 u ndërmjetësua kryesisht nga SHBA dhe Franca. Një nga kushtet e tij ishte çarmatosja e Hezbollahut, që duhej të realizohej nga qeveria libaneze, por kjo nuk u zbatua. Edhe pse sulmet e vazhdueshme izraelite eliminuan pjesën më të madhe të drejtuesve të lartë të Hezbollahut dhe dobësuan ndjeshëm kapacitetet e tij, grupi ende zotëron armë dhe ka aftësinë dhe vullnetin për të luftuar.

Armëpushimi i vitit 2024 ishte në thelb i bazuar në rezolutën 1701 të OKB-së, e miratuar për t’i dhënë fund luftës së vitit 2006 në Liban. Sipas kësaj rezolute, Hezbollahu duhej të çarmatoset dhe të tërhiqet në veri të lumit Litani, Izraeli të largohet nga Libani, ndërsa në jug të Litanit të lejohen vetëm ushtria libaneze dhe UNIFIL. Këto masa nuk u zbatuan dhe përplasjet kanë vazhduar në nivele të ndryshme.

Përshkallëzimi i fundit ka shkaktuar zhvendosje masive. Shumë prej tyre janë drejtuar drejt Beirut dhe veriut të vendit. Ka raportime për strehimore të mbipopulluara, ku njerëzit përballen me mungesë të nevojave bazë. Disa janë detyruar të ngrenë kampe përgjatë bregdetit. Kjo ndodh në një vend që mban përqendrimin më të lartë të refugjatëve për frymë në botë, kryesisht nga Siria dhe Palestina. Vetëm nga Siria ndodhen rreth 1.5 milionë refugjatë në Liban. Dhuna e fundit godet kështu një popullsi tashmë të brishtë dhe përkeqëson vuajtjet e miliona civilëve.

Volker Turk, Komisioner për të drejtat e njeriut në OKB thotë: “Libani po bëhet një pikë kyçe konflikti. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit pas sulmeve të Hezbollahut ndaj Izraelit dhe kundërsulmeve të rënda të Izraelit, si dhe urdhrave për shpërngulje masive që tashmë kanë detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Por cili ka qenë reagimi i qeverisë libaneze. Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Libanit kanë qenë gjithmonë armiqësore, por për herë të parë qeveria libaneze ka ofruar dialog të drejtpërdrejtë me Izraelin. Në një veprim të paprecedentë, ajo shpalli të padëshiruar të dërguarin iranian dhe i kërkoi të largohej nga vendi.

Qeveria dëshiron çarmatosjen e Hezbollahut, por nuk ka burimet për ta realizuar këtë. Forcat e saj ushtarake janë të kufizuara dhe mbështeten kryesisht te ushtria. Shteti libanez nuk ka marrë mbështetjen ndërkombëtare të nevojshme për të përballuar sfidat, përfshirë forcimin e mbrojtjes dhe çarmatosjen e Hezbollahut.

Hezbollahu, përtej krahut të tij të armatosur, është pjesë e rëndësishme e jetës politike dhe civile në Liban. Ai vazhdon të ketë përfaqësim në Parlament, edhe pse me më pak vende. Në zgjedhjet e vitit 2022, Hezbollahu mori 13 vende, ndërsa aleanca e tij, ku përfshihet edhe lëvizja Amal e drejtuar nga Nabih Berri, kontrollon 62 vende.

Kreu i Hedzbollah Naim Qassem, shprehet: “Zgjedhja jonë është të përballemi me ta deri në shkallën më të lartë të vetëmohimit. Ne nuk do të dorëzohemi; ne do të mbrohemi me aftësitë dhe besimin tonë, pavarësisht sakrificave.”

Qeveria libaneze po përballej me një krizë të thellë ekonomike edhe përpara konflikteve të viteve 2023-2024. Megjithatë, përveç ndihmës humanitare, nuk ka pasur mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare për të forcuar ekonominë dhe institucionet shtetërore.

Si mund të zhvillohet situata më tej? Nëse Izraeli ndërmerr një ndërhyrje tokësore, pasojat do të ishin katastrofike sipas ekspertëve. Shpresa mbetet që komuniteti ndërkombëtar të reagojë për të parandaluar një përshkallëzim të tillë. Franca, që ka një marrëdhënie historike me Libanin që prej periudhës pas Luftës së Parë Botërore, po përpiqet të nxisë negociata.

Edhe vende të tjera, përfshirë Indinë, pritet të angazhohen më shumë. India ka aktualisht 642 ushtarë në UNIFIL, një nga kontributet më të mëdha mes vendeve anëtare. Duke pasur marrëdhënie të mira me aktorët kryesorë në rajon, përfshirë vendet e Gjirit, India ka potencialin të luajë një rol më aktiv, përfshirë dërgimin urgjent të ndihmave humanitare, siç bëri në vitin 2006.

Ndërkohë, OKB pritet të zhvillojë një seancë urgjente për Libanin dhe t’i bëjë thirrje Izraelit të respektojë të drejtën ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos