Irani ka refuzuar propozimin me 15 pika të Shteteve të Bashkuara dhe ka paraqitur pesë kushte për t’i dhënë fund luftës. Lajmi është bërë i ditur nga media shtetërore iraniane, e cila citon një zyrtar të paidentifikuar.
Sipas zyrtarit të cituar nga Press TV, Teherani do t’i japë fund luftës vetëm kur ta vendosë vetë dhe kur kushtet e tij të plotësohen. Këto kushte janë: ndërprerja e menjëhershme e agresionit dhe vrasjeve nga armiku; krijimi i një mekanizmi që garanton mos përsëritjen e akteve të agresionit; dëmshpërblimi për dëmet e shkaktuara; ndalimi i luftimeve në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës në rajon; si dhe njohja ndërkombëtare e të drejtës sovrane të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Press TV raportoi se Uashingtoni po kërkon bisedime përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, por Teherani i konsideron propozimet amerikane si të tepruara.
Pak më herët, presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se SHBA po zhvillon bisedime me Iranin dhe se janë arritur disa dakordësi të rëndësishme.
“Nëse nuk arrijmë gjë, do të vazhdojmë të bombardojmë sa të na dojë zemra!”, u shpreh ai.
Trump shtoi se bisedimet kanë qenë shumë intensive dhe se ka dakordësi për pothuajse të gjitha pikat, duke përmendur edhe përfshirjen e zyrtarëve si Steve Witkoff dhe Jared Kushner në këto negociata.
Ndërkohë, një zëdhënës ushtarak iranian ironizoi përpjekjet amerikane për armëpushim, duke deklaruar: “Mos e maskoni humbjen tuaj si marrëveshje. Epoka e premtimeve boshe ka përfunduar. Nuk do të bëjmë kurrë kompromis me ju”.
Propozimi amerikan nuk është bërë publik, por sipas raportimeve, ai përfshin eliminimin e programit bërthamor iranian, bashkëmenaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin e sanksioneve.
Ndërkohë, rreth 1 mijë parashutistë amerikanë nga Divizioni i 82-të Ajror pritet të dislokohen në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, sipas burimeve për CNN, duke rritur praninë ushtarake në rajon, ndërsa administrata amerikane vijon përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
(A2 Televizion)